Rumania merr Presidencën e BE-së, sfida kryesore Brexit

Rumania mori zyrtarisht kryesimin e radhës së Këshillit Europian. Duke lënë pas dyshimet për këtë përgjegjësi madhore, Bukureshti tani do të ndeshet me sfida të tilla si Brexit, buxheti europian dhe zgjedhjet europiane.

Rumania la pas shqetësimet e ngritura më herët nga Brukseli dhe mori zyrtarisht të enjten kryesimin e radhës të Këshillit Europian. Gjatë presidencës gjashtëmujore të BE-së, Rumania do të ndeshet së pari në mars me sfidën e Brexit-it, zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj dhe bisedimet e ashpra mbi buxhetin e ardhshëm afatgjatë të bllokut.

Vendi i dytë më i varfër i BE-së, i cili iu bllokut europian në vitin 2007, mbetet politikisht i ndarë dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të BE-së për korrupsion dhe sundimin e ligjit. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u shpreh besimplotë në ceremoni, se Rumania do ta përmbushë misionin si vend kryesues.

“Jam i bindur se gjatë këtyre 6 muajve ju do të tregoni energji dhe mençuri si rapsodë të vërtetë rumunë. Jam i sigurt se presidenca juaj do të jetë po aq energjike, rumune dhe europiane sa muzika e George Eneskut,” tha Tusk.

Presidenti Klaus Iohannis, ka vënë në dyshim gatishmërinë e qeverisë socialdemokrate për të mbajtur mbi supe presidencën si dhe ka kritikuar planet e saj për të përmirësuar gjyqësorin.

Por kryeministrja Viorica Dancila, tha se Rumania do ta drejtojë Këshillin e BE-së me dinjitet.

“Rumunët janë të lumtur që mbajmë presidencën e Këshillit të BE-së, duke zënë vendin që meritojnë në Europë, vendin nga ku duhet të marrin të njëjtin respekt, të njëjtat të drejta dhe të njëjtat përfitime që gëzohen nga çdo qytetar europian,” tha Dancila.

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, gjithashtu i pranishëm në ceremoni, dha në fjalimin e tij garancitë e nevojshme, që Rumania ta mbajë me sukses presidencën 6-mujore.

“Komisioni, do të jetë në anën tuaj gjatë këtyre muajve për të garantuar që presidenca e parë rumune e Këshillit Europian të jetë një çast i madh në historinë e Rumanisë dhe të Bashkimit Europian.”

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi