Rrudhet lista e kandidatëve të PD për Këshillin Kombëtar

Ende pa nisur mirë punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, gjatë të cilit do të zgjidhen drejtuesit e rinj në Këshillin Kombëtar të partisë, lista me 350 kandidatë e shpallur një ditë më parë ka pësuar firot e para.

Janë Erla Mëhilli dhe Edvin Kulluri, dy prej anëtarëve të PD-së, që kanë njoftuar përmes rrjeteve sociale tërheqjen e tyre nga gara për Këshillin Kombëtar.

Ish-zëdhënësja e Partisë Demokratike thekson se tërheqja nuk është aktuale, por një vendim që ishte marrë më herët për të mos rikandiduar më, pas dy mandateve radhazi.

“Për këtë vendim timin njoftova dje me shumë korrektesë edhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Por, sot e pashë emrin tim në listë dhe ndihem e detyruar që të sqaroj miqtë e mi, e sigurisht edhe delegatët, që unë nuk do të jem pjesë e kësaj gare. Duke i falënderuar të gjithë për mirëkuptimin, iu uroj suksese kandidatëve të tjerë”, shkruan Erla Mëhilli.

Ndërkohë, edhe më i ashpër ka qenë në njoftimin e tij për t’u tërhequr Edvin Kulluri.

“Duke u nisur nga situata e rëndë në të cilën ndodhet Partia Demokratike, për shkak të ‘leadership’-it të saj që vepron në kundërshtim të hapur me çdo parim demokratik, deklaroj tërheqjen nga gara ‘farse’ për anëtar i Këshillit Kombëtar”, shkruan ai në Facebook.

Kulluri thotë më tej se do të vazhdojë të angazhohet në opozitë me këtë “qeveri të korruptuar, kriminale dhe antidemokratike”.

“Do të mbështes me çdo mënyrë protestën e studentëve dhe qytetarëve, deri në largimin e kësaj qeverie dhe ‘mashave’ të saj në opozitë! Të qenit anëtar i PD-së është nder, por nuk mund t’i lejoj vetes të bëhem pjesë e opozitës së emëruar nga Edi Rama!”, thotë më tej ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi