Rritja ekonomike, Instat: Në tre mujorin e fundit të 2017 ra në 3.36 përqind

Pas zgjerimit me katër për qind në gjashtëmujorin e parë, ekonomia shqiptare u ngadalësua në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Instituti i Statistikave raportoi se për tremujorin e fundit të 2017-ës rritja ekonomike ra në 3.36 për qind.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë degët tregti hotele restorante me 0.66 pikë përqindje dhe administrata publike arsimi dhe shëndetësia me 0.64 pikë përqindje”, tha Delina Ibrahimi, INSTAT.

Sipas INSTAT, ngadalësimi i ekonomisë në tremujorin e katër është i lidhur me maturimin e gazsjellësi transadriatik, krizën energjetike që kaloi vendi por edhe ecurinë negative në sektorin e komunikacioneve, arsyeja e të cilit është falimentimi i kompanisë plus.

“Lidhet me daljen nga tregu të një prej kompanive celulare”, tha Ibrahimi.

Por pavarësisht ecurisë më të ngadaltë në gjysmën e dytë të vitit, sërish rritja ekonomike për gjithë vitin 2017 shënoi nivelin më të lartë të dekadës.

“Me kontributin e tremujorit të katër instat jep një vlerësim paraprak për rritjen e prodhimit kombëtar për vitin 2017, i cili mbështetur në vlerësimet tona është rritur me 3.84 për qind”, vijoi drejtoresha.

Edhe pse pas 2013-ës rritja ekonomike ka ardhur duke u forcuar vit pas viti, rimëkëmbja e saj ka qenë e ngadaltë. Të dhënat historike tregojnë se ky është viti i 9 me radhë, kur ekonomia shqiptare rritet më pak se 4 për qind, një nivel dukshëm më i ulët se sa ritmet e para krizës së vitit 2008./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi