Rritet përdorimi i lojërave kompjuterike në Kosovë, OBSH e cilëson çrregullim mendor

Nga Bashkim Kastrati

Me zhvillimin tekniko-teknologjik që ka ndodhur në vitet e fundit janë manifestuar edhe varësi të ndryshme ndaj kësaj teknologjie. Një ndër to janë lojërat kompjuterike, që në masë të madhe përdorën nga të rinjtë. E kur përdorimi i tyre bëhet pa një kujdes nga prindërit, bëhet edhe me i rrezikshëm.

Varësia nga lojërat kompjuterike është njohur si çrregullim i shëndetit mendor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Të dhënat e fundit të kësaj organizate e përshkruajnë varësinë nga këto lojëra si “një model të përsëritjes së vazhdueshme të lojërave” e cila më pas bëhet aq e shprehur sa që “ka përparësi ndaj interesave tjera në jetë”.

Sipas OBSH-së, çrregullimet kanë karakteristika të ngjashme me ato të abuzimit me substanca, humbje të kontrollit ndaj aktiviteteve tjera dhe humbje të interesit për shoqëri.

Klasifikuesi Ndërkombëtar i Sëmundjeve (ICD), i cili është përditësuar në 10 vjetët e fundit përfshin 55,000 lëndime, sëmundje dhe shkaqe të vdekjes. Ky dokument përbën bazë për OBSH-në dhe ekspertë tjerë për të parë dhe për t’iu përgjigjur trendëve në shëndetësi.

Edhe Kosova e prekur nga kjo dukuri

Të rinjtë e Kosovës po ashtu janë përdorues të shumtë të lojërave kompjuterike, përveç në pajisje të tyre (laptop, telefon etj), ata i gjen edhe nëpër internet kafe të ndryshme duke luajtur për orë të tëra. Shembull, në Prishtinë ndodhet një objekt afër Fakultetit Filologjik që përbëhet nga dhjetëra lokale, dhe pothuajse të gjitha e kanë si biznes ofrimin e shërbimeve për lojëra kompjuterike. Kryesisht ofrohen lojëra që njihen si “counter strike” dhe “sonë plastation”. E para karakterizohet me luftë dhe të rinjtë në grupe luftojnë mes vete në mënyrë virtuale. Sipas shumë studimeve, kjo lojë ka ndikim negativ tek të rinjtë dhe mund t’i bëjë ata të dhunshëm.

Ky lokacion gjatë gjithë ditës e deri në orët e mbrëmjes është i frekuentuar nga të rinjtë, të cilët përveç që harxhojnë orë të tëra aty, shpenzojnë edhe para.

Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për tesheshi.com se erërat e globalizmit dhe zhvillimi i modernizmit kanë bërë që shoqëria bashkëkohore të ketë një hiper-zhvillim shumë më të lartë se sa që është menduar dikur. Në këtë drejtim, sipas tij, krahas këtij hiper- zhvillimi është zhvilluar edhe teknologjia informative, si dhe produktet e saj në veçanti lojërat e ndryshme të cilat së fundi vijnë edhe me modele dhe grafikë më të mirë se sa dikur.

“Ajo që bie në sy është përdorimi i të rinjve sidomos nën moshën 18 vjeçare e cila mund të ketë disa efekte negative për ta dhe për shoqërinë”, thotë Kamberi, duke shtuar se studimet zbuluan se “studentët që kishin luajtur një lojë të vërtetë të dhunshme virtuale kishin një ritëm më të lartë të zemrës, raportonin më shumë marramendje dhe neveri, si dhe shfaqën mendime më agresive sesa ata që kishin luajtur një lojë të pa dhunshme” (Cesarone, 1998).

Ai mendon se ky problem është prezent në të gjitha shoqëritë, përfshirë këtu shoqërinë shqiptare. Sipas tij, në shoqërinë tonë mund të shohim se ka një shfrytëzim të teknologjisë informatike – internetit si dhe përdorimit të lojërave të ndryshme të cilat përdoren nga mosha të ndryshme, sidomos ata të rinj, duke përfshirë të dy gjinitë.
Kamberi thotë se përderisa, një pjesë e sociologëve janë të mendimit se lojërat të cilat luhen në orare të përshtatshme, me një kontroll nga prindërit dhe të cilat nuk kanë përmbajtje të dhunës, ato stimulojnë trurin dhe perceptojnë informacionet më mirë.

Në anën tjetër, pjesa e sociologëve analizojnë sidomos ndikimin e aspektit negativ të lojërave tek të rinjtë të cilët: a) shumë të rinjtë humbin kohë të gjata me video lojëra dhe kjo ndikon në notat e dobëta të tyre dhe në përformancën shkollore të tyre, b) të rinjtë të cilat përdorin më shumë video lojëra mund të kenë varësi nga to dhe të kenë probleme me miopin (probleme me shikimin nga rrezet që reflektojnë monitorët/televizorët e ndryshëm), c) përdorimi i video lojërave të dhunshme reflekton në agresivitet dhe shpërfaqje të temperamentit të lartë, d) përdorimi i lojërave të tilla ndikon në pasivizimin e të rinjve, shmang kontaktet sociale ndërmjet grup moshave të ndryshme të cilat janë edhe agjense të socializimit. E) përdorimi i lojërave të tilla ndikon që fëmijët të kenë edhe probleme me shëndetin, sepse duke qëndruar në një vend ata hanë vetëm ushqime të shpejta dhe kjo ndikon edhe në mbipeshën e tyre. F) lojërat e dhunshme, të rinjve mund t’i japin edhe stresë dhe t’i vendosin ata në një situatë depresuese, sidomos atëherë kur ka një varësi të tillë, të rinjtë kanë probleme edhe me çrregullimet e gjumit dhe të ushqimit. G) përdorimi i lojërave të tilla dhe varësia ndaj tyre, mund të ndikon që të rinjtë të frymëzohen nga lojërat e tilla dhe të reflektojnë në sjellje devijante apo edhe në delikuente.

“Shumë studime të cilat janë bërë sidomos në SHBA kanë theksuar se ka pasur një ndërlidhje në mes të lojërave të dhunshme dhe të rinjve të cilët kanë kryer akte të dhunës apo terrorizmit. Në modernitet nevoja për kohën e lirë dhe ajo është mese e domosdoshme, duke marrë në konsideratë zhvillimet e shpejta dhe jetën dinamike”, ka thënë sociologu Kamberi.

Ai mendon se përdorimi i lojërave të cilat zgjojnë kreativitet dhe zhvillim ndikon pozitivisht në zhvillimin e personalitetit te të rinjve. Kurse, përdorimi i lojërave në mënyrë të vazhdueshme dhe lojërave të dhunshme, krijon një varësi ndaj të tyre, probleme me shëndetin, probleme psikike, si dhe probleme sociale.

Duke marrë parasysh këtë, ai thotë se prindërit duhej të kenë kujdes dhe t’iu kushtojnë rëndësi më të madhe të rinjve (fëmijëve) të tyre, në mënyrë që të komunikojnë me ta, t’i monitorojnë se sa po shpenzojnë kohë në lojëra dhe me cilat lojëra janë duke luajtur dhe një gjë e tillë duhet bërë sipas moshës. Pra, lojërat nëse përdoren nga të rinjtë, duhet të jenë të atilla që të kenë më shumë përmbajtje të edukimit dhe shmangie nga dhuna, brutaliteti, lufta, seksi, droga, abuzimi, etj. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi