Rektori i Universitetit të Tetovës: Të mbrohen në gjuhen shqipe doktoraturat

 

 

Në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë UKM-së, sikurse vërejti rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, prej vitesh është një fenomen i pa lakmueshëm. Punimet e magjistraturës dhe doktoraturës janë në gjuhën shqipe, kandidatët gjithashtu shqiptarë, por duhet të mbrohen në gjuhën maqedonase, sepse kështu kërkon Statuti i UKM-së.

Propozim-ligji për arsim të lartë është diskutuar të enjten gjatë një seance të debatit të hapur që organizoi Parlamenti dhe, ku krahas përfaqësuesve të Ministrisë dhe Parlamentit, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të universiteteve, instituteve, organizatave studentore dhe shoqërisë civile.

Pavarësisht disa ndryshimeve, që janë vlerësuar si pozitive në kontekst të lirisë akademike, autonomisë universitare, mekanizmave për kontrollin e cilësisë, kthimin e demostratorëve dhe asistentëve (si kategori të punësuarish nga vetë fakultetet), prapë se prapë edhe ky Propozim-ligj nuk ofron zgjidhje për shumë problem esenciale. Kështu, pavarësisht autonomisë së garantuar universitare dhe lirisë së shtuar akademike, rektori i Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, Jakullovski tha se ka nene që janë në kundërshtim me parimet fondamentale të Procesit të Bolonjës për universitetet e integruara.

Neni 15 i Propozim- ligjit, sqaroi rektori i UKM-së, u mundëson njësive akademike të organizohen si subjekte të pavarura dhe me këtë – prishet karakteri integrues i universiteteve. Ndërkaq, formula e financimit, që sikurse vërejti Aziz Pollozhani, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, edhe ashtu ka qenë problematike, vazhdon të mos ofrojë as tani ndryshime që do të bënin diferencës, shkruan koha.

“Cilësia e arsimit lidhet direkt edhe me modelin e financimit. Nuk mund të pritni cilësi në arsimin e lartë derisa të hyrat financiare të universiteteve varen nga të hollat që gjenerojnë studentët. Në ekonominë e tregut vlen rregulli ‘kush paguan, orienton politikat’. Ne duhet ti bëjmë institucionet e arsimit të lartë sa më pak të varura prej studentëve. Varshmëria prej studentëve na lidh direkt me cilësinë më të dobët”. tha Pollozhani. Prandaj, sipas tij, duhet të rriten financimet e universiteteve nga buxheti i shtetit dhe në të njëjtën kohë, Ligji të trajtojë financiarisht jo vetëm studimet e ciklit të parë, por të tria cikleve njëkohësisht, ashtu sikurse veprohet me Procesin e Bolonjës.

Rektori Pollozhani kërkoi gjithashtu që Ligji i ri të ofrojë zgjidhje edhe për përdorimin e gjuhës shqipe gjatë mbrojtjes së magjistraturave dhe doktoraturave në kuadër të fakulteteve të UKM-së, të cilat organizojnë studime në gjuhën shqipe.

“Në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë UKM, prej vitesh është një fenomen i pa lakmueshëm. Kandidatët, edhe pse janë shqiptarë edhe pse tema është në gjuhën shqipe, që të mund të mbrohen para komisionit, duhet të përkthehen në gjuhë maqedonase, sepse kështu kërkohet me Statutin e UKM-së. Prandaj duhet që Ligji të ofrojë një zgjidhje edhe për këto raste”, u shpreh Pollozhani, duke i kërkuar ministres Renata Deskovkës që kjo çështje të mos mbetet në mëshirën e statuteve të universiteteve. Bashkim Ziberi, profesor në Universitetin e Tetovës, kërkoi që krahas Ligjit për Arsim të Lartë, të nxirret edhe Ligji për hulumtime shkencore dhe në të njëjtën kohë të mendohet edhe formimi i një Qendre Kombëtare të Kumtimit, me qëllim që laboratorët për të cilët Qeveria e kaluar harxhoi 32 milionë euro, të mund të shfrytëzohen nga të gjithë.

Unioni i Nxënësve Shqiptarë u ndal gjithashtu në nene që kanë të bëjnë me çështjen e përdorimit të gjuhëve. Kryetari Egzon Shabani kërkoi që të korrigjohet neni 144 me të cilën kërkohet që krahas maqedonishtes si lëndë e veçantë, të realizojnë në gjuhën maqedonase të paktën edhe dy lëndë të tjera në gjuhën maqedonase. “Ne si shqiptarë nuk kemi asgjë kundër gjuhës maqedonase, por jemi kundër imponimit që dy lëndë profesionale ti realizojmë në gjuhën maqedonase”, u shpreh Shabani.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi