Regjimi i Asadit dhe Rusia për një vit kanë vrarë 1.109 civilë në Idlib

 

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka njoftuar se në sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit dhe Rusisë në zonën e deeskalimit në Idlib gjatë një viti kanë humbur jetën 1.109 civilë.

SNHR publikoi raportin në lidhje me sulmet e regjimit të Asadit dhe përkrahësit të tij, Rusisë, ndaj vendbanimeve civile në Idlib, i cili në muajin maj të vitit 2017 u shpall zonë e deeskalimit.

Në raportin e rrjetit thuhet se në sulmet e regjimit dhe Rusisë ndaj rajonit të zonës së deeskalimit në Idlib, në periudhën maj 2017- maj 2018, kanë humbur jetën gjithsej 1.109 civilë, në mesin e të cilëve ndodhen 255 fëmijë dhe 209 gra.

Më tej thuhet se që nga muaji shtator i vitit 2017, regjimi dhe forcat e Iranit, me mbështetjen ajrore të Rusisë, kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj vendbanimeve civile në zonën e deeskalimit.

Janë bombarduar 233 qendra

Në raportin e SNHR-së thuhet se në periudhën në fjalë regjimi dhe forcat ruse kanë kryer sulme ndaj 233 qendrave, në mesin e të cilëve ndodhen shkollat, tregjet dhe qendrat shëndetësore.

Sipas raportit aleanca mes Rusisë dhe Asadit në një pjesë të sulmeve ka përdorur armë të ndaluara për përdorim, ku 752 herë janë përdorur bomba fuçi, një herë armë kimike, 19 herë municione thërrmuese dhe 16 herë sulme me armë të zjarrta.

Në raport bëhet thirrje që t’u jepet fund sulmeve të regjimit dhe përkrahësve të tij të cilët në objektiv marrin civilët si dhe për gjykimin e përgjegjësve të këtyre sulmeve në gjykatat penale ndërkombëtare.

Idlibi, nën kontrollin e opozitarëve ushtarakë dhe grupeve të armatosura kundër regjimit në pjesën veriperëndimore të Sirisë, u shpall “zonë e deeskalimit” në takimin e mbajtur më 4-5 maj 2017 në Astana. Pavarësisht kësaj, regjimi sirian dhe Rusia vazhdojnë të ndërmarrin sulme ajrore në rajon.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi