Reflektim pas dramës me shoferin e Xhafajt: kujt i besohej timoni i titullarëve në komunizëm

Shkëlzen Qordja, 31-vjeçari i ndjerë, shoferi i ministrit të Brendshëm që humbi jetën në një ngjarje misterioze me tre plumba në kokë brenda kazermave të Gardës së Republikës, vazhdon të mbajë pezull opinionin publik në vend.

Kjo pasi është një ngjarje jo dosido dhe më e rënda është se ka ndodhur në një vend shumë të ruajtur dhe të rëndësishëm: garazhi ku linte makinën Ministri i Brendshëm i Republikës. Praktikisht vendi më i ruajtur në vend.

Prokuroria ka nisur hetimet ndërsa vetë Fatmir Xhafaj bën thirrje që të mos abuzhet me viktimën pasi gjithçka do të zbardhet.

Pak dihet për të ndjerin i cili siç e pohon vetë Ministri i Brendshëm, ishte si një prej familjarëve të tij nga marrëdhënia e afërt. Dhe kjo ështe brenda logjikës pasi shoferi është njeriu më pranë një zyrtari.

Por Xhafaj, si qibar i sjelljeve institucionale dhe i rregullave paksa konservatore, shoferin do duhej ta kishte paksa më ndryshe, më burrëror, nga ana që nuk duken se janë vetëm shofera, por dhe njerëz të pjekur e me urtësinë e nevojshme për të qenë pranë një shtetari të lartë.

Ndërsa i ndjeri Shkëlzen Qordja, ishte një i ri shqiptar, përfaqësues i brezit që duket se pëlqente “heronjtë” e kohës, njerëzit e fuqishëm.

Në faqen e tij në facebook, ai kishte përzgjedhur foto dhe citate të kryenarkotrafikantit më të tmerrshëm të botës, Pablo Escobar, apo të personazhit kryesor të Kumbarit të Mario Puzo-s, Michael Corleone; trille të rinjsh këto që të trishtojnë më shumë pasi kthehen në iluzione për një gjeneratë, e cila u rrit gjatë 27 vjetëve të sistemit të ri me mitin e njeriut të “shkathët” të “fortë”, i cili çan përpara vetëm nëpërmjet parave, pavarësisht se si bëhen e se nga vijnë këto para.

E kjo ndodh ndërsa promovohet klima e pastrimit të administratës, e ku për konceptin e vettingut është marrë si model zyrtari i FBI-së, i cili edhe pse është mjaft më i varfër se njerëzit që heton, edhe pse joshet nga ata, i qëndron fort tundimit dhe për këtë bëhen prova të vazhdueshme.

Mbi të gjitha është përzgjedhja: njerëz nga familje me integritet që nuk korruptohen dhe kanë qëndrim moral të fortë.

Por nuk ka pse të shkojmë larg në SHBA kur kemi precedentin e sistemit komunist, ku njerëz që punonin pranë drejtuesve të lartë, e posaçërisht shoferët, përzgjidheshin me kujdes nga familje të mira e që ishin njerëz me integritet shoqëror.

Kurse tek ne edhe deputetë, drejtues të lartë edhe nëpunës përzgjidhen ku të jenë me problem, e jo më shoferë. Ndaj dhe kemi kaq skandale në gjithë këto vite, në të gjitha nivelet e shtetit e politikës.

Siç thoshte dhe profesor Përparim Kabo para pak ditësh: “Administrata jonë, sidomos ajo e larta e ekzekutivit, gjatë gjithë tranzicionit është dalluar negativisht për paqëndrushmërinë ligjore. Çdo ministër që hyp në fuqi, gjënë e parë që bën është ndryshimi i ligjit organik të institucionit me qëllim rritjen e kompetencave personale, sigurimin e një kontrolli absolut mbi gjithçka dhe mbi këdo si dhe sigurimin me shteg ligjor dhe administrativ të kanalit ku kalojnë fondet monetare, të cilat pa më të voglin dyshim duhet të derdhen edhe në “thesin e tij apo të saj”…Kështu këta “sans culotte” sa hap e mbyll sytë përfundojnë me vila dhe me pasuri përrallore. Si të tillë ata krijojnë shëmbullin dhe shpurën që i ndihmon të rrjepin pa dal në shesh duart e tyre të pastra”. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi