Referendumi në Maqedoni, Zaev në Tetovë: Votoni për të ardhmen

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev e mbylli fushatën për votën pro në referendumin e së dielës me një thirrje të fundit për pjesëmarrje masive.

Mbështetësi i bojkotit, presidenti Gjorgj Ivanov ndërkohë u ankua nga Nju Jorku se vendit po i kërkohet të bëjë vetëvrasje. Zaevi ishte në Tetove ku u përpoq t`i mëshonte idesë së unitetit kombëtar pavarësisht përkatësisë politike dhe lënies së një gjurme të madhe nga pas. Lejojeni këtë brez të shënjojë historinë, u shpreh ai.

Në 30 shtator, të gjithë së bashku kemi detyrën të dalim e të votojmë për një Maqedoni europiane, sepse është në lojë e ardhmja e fëmijëve tanë, shtoi Zaev. Pas dy ditësh, 1.8 milionë zgjedhësve do t`u kërkohet të votojnë nëse e mbështesin apo jo marrëveshjen e emrit me Greqinë të arritur këtë verë pas përpjekjesh të mëdha.

Ujdia i dha fund një konflikti disa dekadesh e u konsiderua si një zhvillim që e meritoi plotësisht etiketimin “historik”. Por, në të dy anët e kufirit ka të pakënaqur. Partia kryesore opozitare në Maqedoni VMRO/DPMNE e kundërshton me forcë paktin duke e cilësuar “një akt kapitullimi”. Edhe pse nuk i hyri një fushatë klasike në mbështetje të “Jo-së”, ajo luajti një kartë tjetër: nuk i ka bërë thirrje ndjekësve të vet të votojnë ndonëse nuk ofron nga ana tjetër asnjë strategji alternative në lidhje me rrugën euroatlantike të vendit.

Kjo ka bërë që VMRO-ja të kritikohet për një bojkot të heshtur të votimit plebishitar, legjitimiteti i të cilit rrezikohet po nuk u kapërcye pragu i 50 përqindëshit./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi