Raporti për të drejtat e njeriut, DASH për 2017-n: Korrupsioni, i përhapur kudo në qeverisje

Korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes është veçuar si një nga problemet më të konsiderueshme të Shqipërisë sa i përket raportit të të drejtave të njeriut për vitin 2017 të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Gjithashtu, problem rezultojnë edhe “kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve, shkaktuar nga interesat financiare dhe politike”.

Në lidhje me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, raporti i DASH i referohet OSBE-së, kur thekson se përgjithësisht zgjedhjet respektuan liritë themelore, por u ndikuan për keq nga akuzat për blerje votash dhe presion ndaj votuesve.

Mosndëshkueshmëria mbetet sërish një problem serioz në raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut.

“Ndjekja penale dhe veçanërisht shpallja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”, thuhet në raportin e publikuar të premten nga DASH.

Sa i përket korrupsionit, që vlerësohet i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes gjatë vitit 2017 në Shqipëri, në raport thuhet:

“Mes janarit dhe gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja për korrupsion. Gjatë së njëjtës periudhë, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin dhe 99 u shpallën fajtorë”.

Prokurorëve iu njihet një përparim i konsiderueshëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit në nivele të ulëta, përfshi këtu edhe prokurorë e gjykatës të korruptuar, por:

“Ndjekja penale e krimeve të niveleve të larta nuk po ndodh për shkak të frikës së hetuesve për hakmarrje, mungesës së përgjithshme të burimeve dhe korrupsionit brenda vet sistemit gjyqësor”, thekson më tej raporti.

E ndërsa thuhet se politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese vunë në rrezik pavarësinë dhe integritetin e vet institucioneve dhe se Ministria e Drejtësisë nuk mori masat e duhura disiplinore ndaj gjykatësve, sa i përket Gjyqësorit përmendet edhe:

“Presioni politik, frikësimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë nuk e lejuar gjyqësorin të funksiononte në mënyrë të pavarur dhe efektive”.

Sipas raportit, mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz, “megjithëse qeveria shtoi përpjekjet për ta trajtuar, veçanërisht duke rritur përdorimin e pamjeve filmike për të dokumentuar dhe për të ndjekur penalisht shkeljet e policisë”.

Përsa i takon lirisë së shprehjes dhe të medias, raporti thotë se qeveria në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikim te media në mënyrë të papërshtatshme.
“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejt dhe indirekt politik e ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”, thuhet në raport.

Po ashtu “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën medien e pavarur të shkruar”, e problem mbeti autocensura.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi