Rama premton rikonstruksionin e të gjithë konvikteve, Kryemadhi e akuzon për mashtrim

Me largimin e studentëve nga Tirana për shkak të pushimeve të fundvitit, kryeministri ndërpreu takimet nëpër fakultete, por jo mesazhet për studentët.

Me kameran e tij, kryeministri tregoi konviktet e reja të Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilat po rikonstruktohen falë marrëveshjes me qeverinë gjermane, duke lajmëruar studentët se në marsin e vitit që vjen, do të kenë vendbanime të reja me standarde europiane.

“Këto janë kushte dhe standarde njëlloj si në Gjermani, kjo do jetë pararoja e standardeve, me godinat e tjera do veprojmë më shpejt”, deklaroi kryeministri në prezantimin e godinave të reja.

Kryeministri mori mendimet e disa prej studenteve, të cilat mesa duket kishin zgjedhur të qëndronin në konviktet e reja, edhe pse janë ende kantier ndërtimi…

“Këmba-këmbës” kryeministrin e ndoqi kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila akuzoi Edi Ramën për shfaqje, ndërsa e paralajmëroi se nuk do i ndahej.

“Ky është projekt i vitit 2011 dhe duhet të kishte mbaruar në 20 dhjetor të 2018-ës, por akoma nuk ka mbaruar. Nuk mjafton kjo, por vjen edhe bën show mediatik për të treguar që po mbaron sa më shpejt. Të lutem Edi Rama, mos vazhdo të gënjesh. Nuk do të ndahem më, këmba-këmbës mbas çdo mashtrimi tënd, për të demaskuar dhe për të denoncuar para shqiptarëve”, deklaroi Kryemadhi.

Përmirësimi i kushteve në konvikte është 1 nga 8 kërkesat e studenteve, të cilat nisën protestat dhe bojkotuan mësimin në fillim të dhjetorit. Por, studentët kanë kërcënuar me vijim të protestave nëse nuk pranohet të 8 pikat e kërkuara.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi