Rama për “presidentin e përbashkët”: Fjalimi u shkëput nga konteksti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar qëndrimin e tij gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për “një president, simbol të unitetit kombëtar” mes dy vendeve.

Rama, në një intervistë për televizionin Top Channel në Shqipëri, u shpreh se pjesët e fjalimit të tij janë shkëputur nga konteksti.

“Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe u kthye në një program politik. Ndërkohë unë në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, për se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, ka theksuar Rama.

Në një fjalim mbajtur në Kuvendin e Kosovës, dy ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë theksoi se “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”.

Kjo shkaktoi debate në Shqipëri, por jo vetëm, ndërsa Rama mbron qëndrimin e tij se është shkëputur fjalimi nga konteksti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi