Rreth 7.000 shtetas shqiptarë dhe të huaj kanë hyrë në Shqipëri që prej mëngjesit të së shtunës, vetëm përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.
Por, me shtimin e një sporteli për përpunimin e dokumenteve nga pala greke, që ishte duke punuar vetëm me dy sportele në hyrje, situata pritet të normalizohet. Në anën shqiptare po punohet me personel të dyfishuar dhe me 4 sportele në hyrje.
Masat janë duke u shtuar edhe në akset nacionale në Jug, që po përballojnë një trafik të ngarkuar që prej fillimit të gushtit. Kreu i Shërbimit të Policisë Rrugore, Artan Tarka tha se akset ku po kryhen punime dhe ato me trafik të rënduar në hyrje të Gjirokastrës, në Qafën e Muzinës dhe në zonën e Ujit të Ftohtë po mbikëqyren nga patrullat e Policisë Rrugore.
Fluksi do të vijojë të rritet në Kakavijë, për të kulmuar fundjavën e ardhshme, ndërsa në pikat e tjera kufitare, në Sopik dhe “Tre Urat” kanë fluks minimal në hyrje dhe në dalje. Autoritetet rekomandojnë përdorimin edhe të këtyre pikëkalimeve, për të evituar dyndjen e njëkohshme në Kakavijë.
Top Channel