Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë grevë

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike e Kosovës, protestoi sot para institucioneve qendrorë të vendit dhe para Qeverisë, protestuesit kërkonin ngritjen e pagave në mënyrë lineare nga 100 euro për punëtorët e KEK-ut.

“Qeveri këndellu , Menaxhment a keni edhe familjar tjerë të punësohen në KEK, Kosova nuk bënë pa dritë” ishin disa nga pankartat me të cilat protestuan punëtorët e KEK-ut.

Ata vazhduan protestën duke marshuar sheshit për tu ndalur tek Qeveria e Kosovës për të shprehur kërkesat e tyre.

Derisa qëndronin para ndërtesës së qeverisë ata u bën thirrje krerëve të institucioneve, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veselit për përmbushjen e premtimeve për rritjen e pagave për punëtorët e KEK-ut.

Rafet Osmanaj kryetar i Sindikatës së Re tha se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.

“Do të jemi një ze më i fuqishëm, forcë kohezive dhe përfaqësuese që do ja kthej dinjitetin punëtorëve. Përveç kushteve të rënda që ekspozohen punëtoret, qeveria ju ka borxh të ju njihet kontributi për vitet 90-99. Ky menaxhment e kanë sjellë në fund të djerrinës KEK-un. Nëse ky menaxhment nuk reflekton ne do të shkojmë në forma të tjera dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Osmanaj.

Avni Ajdini kryetar i SBAShK-ut tha se kërkesat e tyre janë minimale dhe premtimet duhet të realizohen.

“Nuk kemi dashtë me dal, na kanë detyru. Apelojmë që sa më parë ti realizojnë premtimet. Po na detyrojnë të dalim edhe jashtë kornizave sindikale. BSPK e keni pas vete. E kërkojmë zbatimin e ligjit që punëtorët ta gëzojnë pensionin e plotë. Pa punëtorë s’ka prodhim pa ju as qeveri nuk ka”, tha ai.

Afrim Salihu përfaqësues ligjor tha se shpreson që Qeveria ti analizojë kërkesat dhe të përgjigjet pozitiv.

“Kërkesat e tyre janë legjitime, prandaj qeveria duhet t’i marrë parasysh dhe t’i realizoj ato”, u shpreh Salihu.

Nexhat LLumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re, tha për Kosova Post se qeveria duhet të marrë përgjegjësi për premtimet e veta“Qeveria ka premtuar se do të rritën rrogat e secilit punëtorë të KEK-ut në mënyrë lineare prej 100 eurove dhe kjo nuk ka ndodhë. Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, ne nesër kemi edhe mbledhje të këshillit, dhe do të vendosim që të shkojmë më forma të tjera të protestës, do të thotë do të hyjmë në grevë”, tha ai.

Protesta ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe është ndalur para qeverisë në sheshin “Skënderbeu”./Kosova post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi