Prokuroria: Mostrat e zarfeve nga Serbia janë dërguar jashtë Kosovës

Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet në lidhje me zarfet me vota të ardhura nga Serbia, pas raportimeve që më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin reaksione alergjike pas hapjes së zarfeve.

Prej tyre, 12 kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë në spital.

Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë mostrat për analiza laboratorike janë dërguar jashtë Kosovës, por nuk ka saktësuar në cilin vend.

“Është gjetur një laborator në njërin nga shtetet e Evropës, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza. Sapo t’i marrim rezultatet ne do t’i bëjmë publike për opinionin”, tha Grantolli.

Ai nuk ka pranuar të tregonte se në cilin vend janë dërguar mostrat.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, nuk ka dhënë detaje se çka ka pasur brenda zarfeve që u ka shkaktuar, siç ishte thënë, reaksione alergjie punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai më 15 tetor kishte deklaruar se pas analizave të bëra për dymbëdhjetë pacientët e shtrirë e që ishin përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë, kishte rezultuar se nuk kanë ndonjë shkaktar infektiv.

Ndërkohë, disa media në Kosovë, duke iu referuar burimeve të tyre, kanë raportuar se janë gjetur dy lloje të elementeve të mundshme në zarfet nga Serbia.

“Elementi që vetë letra e përmban e që nuk ka rrezik dhe një lloj elementi tjetër që gjendet në spërkatës për pastrim të zyrave ose për spërkatjet e pemëve e që nuk ka rrezik për jetën”, është thënë në raportimet e mediave.

Por drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë ka thënë shkurt se këto njoftime “ato janë thashetheme”.

Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht ishin 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 përfunduan të shtrirë në spital.

Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera. Pacientët po mbahen ende nën mbikëqyrjen e mjekëve, edhe pse rezultatet e analizave të tyre kanë rezultuar se nuk ka ndonjë shkaktar infektiv .

Prokuroria është duke i vazhduar hetimet në lidhje me këtë rast.

Zgjedhjet e parakohshme paralmentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi