Prokuroria ka nisur hetimet preliminare për procesin e zgjedhjes së noterëve

0
8

Tetë muaj prej kur janë ngritur dyshime për parregullsi, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet preliminare për procesin e përzgjedhjes së noterëve. Prokurori special, Haki Geci, ia ka konfirmuar gazetës se ka autorizuar Policinë e Kosovës që të fillojë me mbledhjen e informatave, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kam bërë autorizim për mbledhjen e informatave për këtë çështje. Pra hetuesit janë duke grumbulluar informata”, i ka thënë ai “Kohës Ditore”.

Procesi i emërimit të noterëve është pezulluar pas reagimeve të shumta nga organizatat e shoqërisë civile dhe ambasadat e huaja.

Ish-ministri Abelard Tahiri, në kohën e të cilit janë zhvilluar procedurat e noterisë, e për të cilat ka pasur shumë diskutime, ka thënë që nëse janë nisur hetimet, atëherë është një gjë e mirë.

“Nëse është e vërtetë që ka nisur hetimi, siç po thoni ju, nuk jam i njoftuar për këtë. Unë edhe në emisione të ndryshme, edhe në shumë paraqitje publike u kam bërë ftesë organeve të drejtësisë që të hetojnë dyshimet që janë ngritur për këtë proces”, ka thënë Tahiri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here