Projektligji i ri/ Krijohet Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si institucion i vetëm

Me një projektligj të ri, të hartuar nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, parashikohet një ndryshim institucional në fushën e shpronësimeve me interes publik të pronave të patundshme. Rregullimet e parashikuara vijnë si rezultat i problematikave të ndryshme që janë hasur në praktikë, gjatë implementimit të ligjit aktual për shpronësimet, që është ligji nr 8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik” të ndryshuar.

Risitë
Ndryshimet e propozuara synojnë të rregullojnë procedurat e shpronësimit, me synim planifikimin, si dhe përqëndrimin e kompetencave të institucionit përgjegjës për shpronësimet. Gjatë punës në zbatim të këtij ligji, janë evidentuar nevoja për të saktësuar aspekte proceduriale në fushën e shqyrtimit të kërkesave për shpronësim, duke i përqëndruar kompetencat në një institucion të vetëm. Me këtë qëllim, do të ngrihet Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të jetë institucion në varësi të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban.

Do të jetë Këshilli i Ministrave, i cili, me propozim të ministrit përgjegjës për zhvillimin urban, përcakton mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj.

Pra, synimi është që të krijohet Agjencia Shtetërore për Shpronësim, si institucioni përgjegjës për procedurat e shpronësimit. Pas kësaj, kompetencat për procedurat e shpronësimit kalojnë, nga ministria përgjegjëse për zhvillimin urban, tek Agjencia Shtetërore për Shpronësim.

Procedurat
Në një nga nenet e ligjit aktual, mendohet të bëhet kjo shtesë: “Kur shpronësimi është kryer me kërkesën e një subjekti juridik privat, ministri që ka në varësi Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin (ASHSH), i kërkon ASHSH që, mbi kërkesën paraprake të këtij subjekti, të kërkojë kalimin e pronësisë së pasurive të shpronësuara nga shteti në favor të subjektit privat, që ka kërkuar shpronësimin, me kushtin që të jetë vërtetuar sipas ligjit realizimi i ndërtimit ose investimit për interes publik, për të cilin është kryer shpronësimi”.

Pra, Agjencia ka detyrë edhe të kontrollojë investimin për interes publik dhe jo vetëm të plotësojë dokumentacionin për shpronësim.

Nga ana tjetër, parashikohet që kërkesat për shpronësim të paraqiten në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin, ndërsa propozimi në Këshillin e Ministrave për miratimin e kërkesës për shpronësim, bëhet nga ministri përgjegjës për zhvillimin urban. Me këtë amendim, rikonfirmohet roli i ministrit të Infrastrukturës si titullar i procesit të shpronësimeve, ndërkohë që Agjencia kryen rolin procedurial.  

Njoftimi
Projektligji përforcon edhe një kërkesë në drejtim të transparencës së këtij procesi në të ardhmen. Në draft saktësohet se, njëkohësisht me njoftimin e kërkesës për shpronësim për interes publik, për të krijuar mundësitë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave të tretë ndaj, ose për shkak të, pasurive pronë private, që kërkohet të shpronësohen, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin bën publikimin e kërkesës për shpronësim në Fletoren Zyrtare dhe në faqen e internetit të ASHSH.

Propozimi
Me përfundimin e procedurave paraprake të shpronësimit, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin duhet t’i paraqesë ministrit përgjegjës për zhvillimin urban propozimin për shpronësim, të shoqëruar me këtë dokumentacion: a) Relacioni përmbledhës për qëllimin, shkakun dhe nevojën e shpronësimit, për afatin e fillimit dhe të mbarimit të shpronësimit, si dhe për afatin e fillimit e të përfundimit të punimeve ose të realizimit të qëllimit të shpronësimit; b) Dokumentet që kërkohen në ligj, që duhet të jenë të cituara në relacion; c) Lista përfundimtare e pronarëve të pasurive që shpronësohen, ose që zhvlerësohen dhe citimi i aktet përkatëse të pronësisë, si dhe lista e personave të tretë, të drejtat e të cilëve duhet të kompensohen për shkak të shpronësimit; ç) Për vlerësimin e pasurive që shpronësohen e zhvlerësohen, e të drejtave të të tretëve që lidhen me to dhe të masës së shpërblimit apo kompensimit të propozuar me argumentet përkatëse të citohet baza ligjore.

Ministri, në rast se dokumentacioni i paraqitur në këtë mënyrë është i plotë, dërgon propozimin në Këshillin e Ministrave për miratimin e shpronësimit.

Afatet
Projekjtligji parashikon që, në rastet kur pasuritë pronë private të shpronësuara duhet të regjistrohen sipas ligjit, ky regjistrim duhet të kryhet nga Agjencia, si dhe institucionet përgjegjëse, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Ministrave për shpronësimin.

Në rast miratimit të projektligjit, ngarkohet Këshilli i Ministrave dhe ministri përgjegjës për zhvillimin urban që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Ky ligj duhet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, drafti është hedhur për diskutim publik nga qeveria.

- Reklamë -

LEXO MË SHUMË

Tiranë, konferencë për luftën kundër diskriminimit dhe urrejtjes

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë zhvilluan sot konferencën në formën e një seminari me temë: “Lufta kundër...

Po çonte nënën me urgjencë në spital, por përfundon në kanal

Një shtetas i cili po transportonte me automjetin e tij me urgjencë drejt spitalit të ëmën ka humbur drejtimin e lëvizjes dhe për pak...

FMN-ja kërkon reforma për pensionet e veteranëve

Parashikimet ekonomike mes Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar sa i përket buxhetit të vitit 2019 nuk janë të një vije të njëjtë....

Së fundi

Në Varshavë shënohet 80 vjetori i fillimit të Luftës së Dytë Botërore

Varshavë Në Varshavë ka filluar përkujtimi i fillimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa programin zyrtarisht e ka hapur presidenti i Polonisë, Andrzaj Duda, AA). Me...

Gjykata izraelite liron shtetasen turke

Qytetarja turke Ebru Ozkan e cila ishte arrestuar nga policia izraelite më 11 qershor është lënë e lirë pas vendimit të gjykatës ushtarake izraelite...

Studenti serb thotë se shqiptarët nuk janë armiq

Në një rrëfim për Deutsche Welle, studenti i gazetarisë nga Novi Sadi, Aleksandar Bugarin ka thënë se...