Prodhuesi më i madh rus i naftës, Rosneft, njoftoi rinisjen e shpimeve eksploruese të naftës dhe gazit në pjesën perëndimore të Detit të Zi.
Për shkak të sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian (BE) kundër Rusisë, në vitin 2014 Rosneft pezulloi eksplorimin dhe punimet e prodhimit të saj në Detin e Zi.
Duke folur në një konferencë për media në qytetin bregdetar rus Soçi, drejtori i kompanisë Rosneft, Igor Sechin, i cili njoftoi rinisjen e eksplorimit, theksoi se në zonat e eksplorimit në Detin e Zi mund të ketë rreth 600 milionë ton naftë dhe 100 miliardë metër kub gaz.
Sechin bëri të ditur se punimet e shpimit në një sipërfaqe prej 8.600 kilometra katrorë dhe në një thellësi midis 600 dhe 2.500 metra në pjesën perëndimore të Detit të Zi janë në vazhdim.
Drejtori i kompanisë për prodhimin e naftës, gjatë konferencës për media, poashtu prezantoi strategjinë e re pesë vjeçare të zhvillimit të kompanisë. Ai tha se kompania do të rrisë prodhimin e saj vjetor të naftës me 6 për qind krahasuar me vitin 2016, përkatësisht me 281 milionë ton naftë në vitin 2017.
Më tej, Sechin deklaroi se deri në vitin 2022 kompania do të vazhdojë të shtojë 30 milionë ton në prodhimin e saj vjetor, në përputhje me strategjinë pesë vjeçare të kompanisë.
Në lidhje me ndihmën e projekteve të kompanisë në Detin e Zi dhe në Venezuelë, Sechin pohoi se tregu i kompanisë do të rritet me 15 deri në 20 për qind.
Sot, Rosneft njoftoi se Venezuela i ka dhënë licenca për të zhvilluar dy fusha të gazit në det të hapur. Marrëveshja lejon kompaninë të prodhojë gaz nga fushat Patau dhe Mejillones në Detin e Karaibeve në 30 vitet e ardhshme./Rtv Drita/