“Prodhimi i energjisë së pastër”, Veliaj: Dallëndyshja e parë e një revolucioni për Tiranën

 

Tirana po nis një erë të re në shfrytëzimin e energjisë së pastër. Pas tarracave të gjelbra në disa prej institucioneve publike, në kryeqytet ka nisur zbatimi i projektit për tarracat me panele fotovoltaike, të cilat jo vetëm që prodhojnë energji të pastër, por njëkohësisht ulin edhe kostot.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi impiantin e parë për prodhimin e energjisë elektrike me panele fotovoltaike në godinën e Zyrave Qendrore të Bankës ProCredit, i projektuar dhe zbatuar nga kompania EuroElektra.

“Kjo është diçka e re në Tiranë. Banka ProCredit fillon e para rikuperimin e energjisë, duke përdorur panelet solare, për të kursyer një pjesë të madhe të energjisë që harxhon. A mundet një tarracë të ndryshojë klimën e Tiranës? Absolutisht jo, por ama, ky investim është baraz me 350 pemë të mbjella dhe kursen 15 ton dioksid karboni. Imagjinoni çfarë klime do të kishte Tirana sikur secila nga 5000 tarracat e Tiranës të shtonte 300 e ca pemë dhe të kursente 15 ton dioksid karboni në ajër”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës po konsideron mundësinë e zbatimit të projektit të impianteve të paneleve diellore dhe në shumë prej tarracave apo hapësirat publike për të përfituar energji të pastër. “Sot kemi një dallëndyshe të parë të diçkaje që mund të kthehet në një revolucion për Tiranën. Jemi duke konsideruar se si edhe në zona të tjera të qytetit, edhe Bashkia të përfshihet aktivisht, qoftë me sheshin “Skënderbej”, me disa nga tarracat publike, ashtu siç kemi bërë me tarracën e gjelbër të Bashkisë, qoftë me liqenin e Bovillës, për të zbatuar edhe aty ato që quhen panele lundruese; pra, duke përdorur tarracat, hapësirat ujore, siç janë liqenet, të cilat janë vende ideale ku mund të marrim energji të pastër, pa zënë më shumë hapësirë në territor”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar si mënyrën më të mirë për të siguruar energji, kryebashkiaku Veliaj bëri thirrje që ky shembull të ndiqet jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga bizneset dhe familjarët. “Mezi pres që ashtu si shumë qytetarë apo institucione kopjuan bashkinë me tarracat e gjelbra, ashtu të kopjojnë bankën, për të pasur tarracat solare. Sot kostot kanë rënë, ndaj si për institucionet, si për bizneset, edhe për familjarët, është mënyra më e mirë për të siguruar një pjesë të madhe të energjisë nga ajo diellore”, tha Veliaj.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi