Prishtina- kryeqytet pa spital!

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina nuk ka spital. Nga Qendrat e Mjekësisë familjare si shërbim primar, menjëherë pacientët trajtimin mjekësor duhet ta marrin në shërbim terciar, pra në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Me Ligjin për kryeqytetin, i cili tashmë është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, është propozuar edhe ndërtimi i spitalit të Prishtinës. Mungesa e ndërtimit të tij deri tash, ka pasur të bëjë me procedura ligjore, kanë thënë zyrtarë kompetentë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, kanë shqyrtuar këto ditë këtë projekt, të zvarritur ndër vite.

Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi, i tha Radios Evropa e Lirë se spitalin e kryeqytetit, që është kompetencë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, do ta ndihmojë Ministria e Shëndetësisë, duke përfshirë edhe ndihmën me mjete financiare.

“Ndër vite me radhë është folur për këtë spital, kurse asnjëherë nuk është marrë ndonjë veprim konkret. Në takimin e parë në mes të ministrit Ismaili dhe kryetarit Ahmeti, është dakorduar që të krijohen grupet punuese, të cilat më pas do t’i caktojnë hapat e ardhshëm”.

“Në takimet e ardhshëm pritet të diskutohet edhe për fizibilitetin dhe lokacionin e spitalit. Këtë vit Ministria e ka në projekt-buxhetin e saj edhe ndërtimin e spitalit të Prishtinës, ku tashmë ka ndarë 500 mijë euro. Por, çka është më e rëndësishme, qytetarët e Prishtinës shpejt do të kenë një spital për nevojat e tyre”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, Arben Vitia, drejtor i drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, i tha Radios Evropa e Lirë se në projektin e spitalit të Prishtinës, duhet të përfshihen organe e institucione të shumta, në mënyrë që të garantohet cilësi e shërbimeve shëndetësore, por edhe stafi mjekësor. Ai tutje shtoi se Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për një projekt të tillë, por me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, ky projekt parashihet të nisë shumë shpejt.

“Për spitalin e Prishtinës, Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër që t’i ndihmojë Komunës së Prishtinës në realizimin e këtij projekti. Ky spital do të ofrojë shërbime shëndetësore sekondare. Mendoj që ndërtimi i objektit është puna më e vogël. Ne duhet të dakordohemi për shërbime cilësore, pra të shërbimeve shëndetësore”.

“Sigurisht, këtu duhet të përfshihen organe e institucione tjera, në mënyrë që të garantohet edhe stafi mjekësor. Jemi në fazat e para të diskutimit dhe ka pozitivitet dhe një qasje shumë të mirë që ky proces të vazhdojë. Më pas në faza tjera do të presim edhe donacione, e që mendoj se janë shumë të domosdoshme”, theksoi Vitia.

Por, më skeptik për ndërtimin e spitalit të ri, janë shprehur në Federatën Sindikale të Shëndetësisë, ku sipas udhëheqësit të saj, Blerim Syla, ky spital para se të fillojë të ndërtohet, duhet bërë një plan strategjik se sa do të mund të mbulohet me staf, meqë edhe aktualisht në Qendrën Klinike Universitare ka mungesë të kuadrit mjekësor.

“Si Federatë, jemi për ndërtimin e spitalit të kryeqytetit, por jemi skeptik se sa do të mbulohemi me kuadër. Ne nuk e kemi të shpërndarë mirë kuadrin mjekësor dhe një numër bukur i madh i të rinjve si profesionistë shëndetësorë po dalin jashtë Kosovës. Unë kam frikë se investimet milionëshe do të përfundojnë vetëm në ndërtime, por jo edhe në kuadër”, u shpreh Syla.

Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, tha se një spital i kryeqytetit është më se i nevojshëm.

Sipas tij, mbi 60 për qind të rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën emergjente, janë nga Komuna e Prishtinës.

Përveçse do t’u shërbente qytetarëve të rajonit të Prishtinës, spitali, sipas Lenjanit, do ta lironte edhe Qendrën Klinike Universitare, në të cilën trajtohen edhe rastet, që nuk i takojnë qendrës terciare.

“Sikur ky 60 për qindësh i këtyre rasteve të trajtohej në spitalin e kryeqytetit, kjo do ta ndihmonte që QKUK t’i trajtonte rastet ku nuk do të mund të mbuloheshin rastet në pjesën dytësore. Në këtë mënyrë, ne do të zvogëlonim numrin e pacientëve që kërkojnë shërbime. Mos të harrojmë se në kuadër të spitalit të qytetit, do të duhet të jetë edhe pjesa emergjente ku do të mund t’i ndihmonin pacientët me helmime, lëndime dhe të sëmurët”.

“Tash po shihet një sinjal pozitiv që spitali i qytetit ka gjasa të fillojë së ndërtuari dhe QKUK me njësitë organizative, do të zbarkohen nga numri i madh i fluksit të pacientëve”, theksoi Lenjani.

Ai deklaroi se faza dinamike e ndërtimit të spitalit të ri mund të zgjasë tre deri në pesë vjet dhe deri atëherë, mund të kërkohen specializime të reja në mënyrë që të plotësohet stafi mjekësor.

Ndërsa, Blerim Syla tha se duhet të ketë një studim të mirëfilltë për nevojat reale të qytetarëve, si dhe nëse një spital i tillë do të jetë funksional dhe i kompletuar edhe me staf adekuat.

“Mendoj se Komuna e Prishtinës, por edhe Ministria e Shëndetësisë do duhet ta kenë një plan të mirë së pari për kuadrin dhe më pas për ndërtimin e kuadrit të ri. Nëse shkohet me planin që vetëm të ndërtohet spitali i ri pa e bërë mirë planifikimin, do të jetë i pamundshëm funksionalizmi”, tha Syla.

E, nga Kuvendi Komunal i Prishtinës tashmë kanë deklaruar se mirëpresin bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për spitalin e Prishtinës dhe se pritet që të krijohen grupet punuese, në mënyrë që puna të mos vonohet./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi