Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, deri në ora 15 jehona e votuesve 28,89 për qind

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut jehona e votuesve deri në ora 15:00 është 28,89 për qind.

Siç informoi kreu i KSHZ-së, Oliver Derkoski, në konferencën e rregullt për media, kjo përqindje është nga informacionet e arritura nga 77,51 për qind e vendvotimeve në nivel shtetëror.

Siç tha Derkoski, pengesa serioze gjatë procesit të zgjedhjeve presidenciale nuk janë regjistruar dhe procesi i votimit është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt.

Ai po ashtu njoftoi se numri më i madh i daljes së votuesve deri në ora 15 është regjistruar në Prilep me 43,62 për qind, ndërsa numri më i vogël është regjistruar në Likovë me 9,75 për qind.

Kreu i KSHZ-së theksoi se deri në këtë moment kanë arritur 8 kundërshtime, edhe atë për mbrojtjen personale të drejtës së votuesve dhe të njëjtën, tha ai, do të zgjidhen në vazhdimin e seancës së institucionit zgjedhor.

Në zgjedhjet e sotme presidenciale të drejtë vote kanë 1.808.131 qytetarë, prej të cilëve sot mund të votojnë 1.726.696 qytetarë, ndërsa pjesa tjetër (të burgosurit, të zhvendosurit dhe personat e plogshtë) që janë në listë të veçantë zgjedhore, të drejtën e votës kishin mundësi ta shfrytëzonin gjatë ditës së djeshme.

Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut janë Stevo Pendarovski, i mbështetur nga koalicioni qeveritar (LSDM, BDI, Alternativa dhe 28 parti tjera), Gordana Siljanovska-Davkova e mbështetur nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe koalicioni si dhe Blerim Reka i mbështetur nga partitë opozitare të bllokut shqiptar, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Që të tre janë profesorë universitarë.

Sipas ligjit, kandidati për president mund të fitojë në rrethin e parë nëse siguron mbi 50 për qind të të gjithë votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Në të kundërtën do të mbahet rreth i dytë në të cilin do të garojnë dy kandidatët e parë të plasuar nga rrethi i parë. Që votimi të konsiderohet i vlefshëm, jehona e daljes në zgjedhje duhet të jetë minimum 40 për qind prej numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar.

Njëkohësisht, përveç rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës do të zgjedhin kryetar komune.

Qendrat u votimit u hapën në ora 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19 në mbrëmje. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar pas dy javësh, më 5 maj.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi