Portretizimi i gruas myslimane nga muslimanët shqiptarë

Shkruan: Rovena Tujani-Klinaku

Përse i bëhet padrejtësi grave që mbulohen për hir të Zotit, dhe duartrokiten gratë të cilat zbulohen për hir të modës? Alija Izetbegoviç.

Gruaja myslimane ballafaqohet me disa sfida në shoqërinë tonë. Sfidat e një myslimane ndahen në dy kategori të mëdha. Sfidat që e ballafaqojnë me atë pjesë të shoqërisë e cila nuk e kupton bindjen dhe praktiken fetare si dhe sfidat që kemi brenda vet komunitetit tonë mysliman.

Ato po mbulohen për shkak të pagesës

 Kjo është një fjali e dëgjuar shpesh. E dëgjojmë nga njerëz që nuk e kuptojnë rëndësinë e mbulesës. Nuk e kuptojnë që kjo është një mision që ne gratë me mbulesë e besojmë, e dashurojmë dhe e praktikojmë. Mbartja e mbulesës ka vështirësi dhe sfida shumë të mëdha. Nëse do ishte ky mision për shkak të pagesës, siguroj se nuk do kishte shifër monetare që mund të justifikonte vështirësitë që i hasim, paragjykimet dhe ofendimet dhe në të njëjtën kohë nuk mund të kishte rrogë mujore që mund të na japi lumturi dhe kënaqësi më të madhe shpirtërore se sa mbulesa.

Ato po sjellin prapambetjen

 Mbulesa është prapambetje, i thoshte një grua me arsim fillor (4 vjet shkollë) një gruaje me mbulesë që ndiqte studimet pas universitare. Ato kanë veshje turke-arabe, të prapambetura, vazhdonte të argumentonte me ngulmim pa logjikë. Ndërkohe dilema ime është se çfarë mund të konsiderojmë moderne dhe çfarë të prapambetur? Përse duhet mbulimi i trupit të quhet prapambetje dhe zbulimi i saj avancim? Nëse mendojmë arsyeshëm do të kuptojmë që prapambetje është mungesa e arsimit. Prapambetje është paragjykimi i veshjes së të tjerëve. Prapambetje në këtë kontekst është çdo veprim i së kaluarës i cili sjell dëm gruas, vajzës shqiptare.

Unë mundohem të gjej argument shkencor apo logjik të kundër-argumenteve rreth kritikave të mbulesës Islame, dhe e shoh që jemi në nivelin e thashathemeve, komenteve të kota dhe paragjykimeve pa fakte.

Fajin e ka gruaja

Por në fakt të jemi paragjykues fatkeqësisht është një fenomen jo vetëm që e hasim në shoqërinë që nuk ndajnë të njëjtat ideale dhe të njëjtin besim, por gjithashtu e hasim dhe te praktikantët fetar.  Nëse i shohim me vëmendje ligjërimet fetare në xhamia apo në takimet e mësim-besimit islam shohim që ndaj gruas është një qasje jo adekuate.

Nëse predikuesi fetar gjatë ligjëratave të tij jep shembuj anonime të historisë ku personazhi kryesor është një gruaja, atëherë duhet të kuptojmë që po “ushqejmë” dëgjuesin me një imazh të gabuar të gruas.

Disa mundohen të justifikojnë mangësitë e tyre me anë të grave. Nëse dikush mendon që gruaja të bën hajdut, gruaja të çon në humbje, gruaja të bën të devijojë duhet të kuptojë që në fakt po justifikon dobësitë e tij. Një grua nuk të bën hajdut por të bën karakteri i dobët. Nëse ndjen që po shoqërohesh me një grua të papërshtatshme, më e drejtë është të ndryshosh shoqërinë sesa të bëhesh pjesë e veseve.

Gruaja duhet të bëjë dhe të edukojë fëmijët

 Pa diskutim që një nga bekimet më të mëdha të një gruaje është kur ajo nga shpirti dhe trupi saj lind dhe rrit fëmijë. Por në asnjë mënyrë nuk lejohet që gruaja të mendohet vetëm në funksionin riprodhues.

Procesi i edukimit të fëmijës nuk është obligim vetëm i gruas. Në fakt procesi i edukimit duhet të jetë formë e bashkëpunimit mes të dy bashkëshortëve. Nëse kthehemi në histori, në pjesën shembull që ne ndjekim, gjatë fragmenteve të jetës së Fatimes r.a ne kemi pjesë ku vetë Profeti Muhamed a.s është marrë personalisht me edukimin dhe këshillimin e bijës së tij. Ky proces nuk ka qenë vetëm përgjatë rritjes dhe zhvillimit të fëmijës por dhe pas martesës së saj. Nëse i dërguari i Zotit që ishte shembull i njerëzimit ishte kaq aktiv në procesin e saj të edukimit, atëherë me çfarë baze fetare ne ja ngarkojmë gruas të gjithë procesin e edukimit dhe të arsimimit të vajzave apo djemve tonë.

Burri po të mban me bukë ti ul kokën

Në shoqërinë tonë kryesisht në çështjen e sigurimit të ardhurave të familjes është përkujdesur burri i shtëpisë. Por prej kohësh ky raport ka ndryshuar. Për sigurimin e të ardhurave familjare tashmë në shumë familje të dy bashkëshortët janë aktiv në formë të njëjtë. Për sa i përket punëve dhe angazhimeve familjare e gjithë barra i kalon gruas.

Një grua e cila ditën punon më orar të plotë, e cila natën merret me foshnjën e vogël, dhe në mbrëmje merret me të gjitha obligimet dhe punët familjare. Ky raport familjar nuk është i drejtë, nuk është as në pajtim me rregullat dhe këshillat Islame. Në fakt nëse i referohesh legjislacionit Islam, kontributi ekonomik(rroga) i gruas në shtëpi është sevap (merr shpërblim për kontributin e saj dhe nuk e ka aspak obligim). Gjithashtu punët dhe shërbimet e shtëpisë (punët e shtëpisë) nuk janë obligative për gruan, pavarësisht që I delegohet asaj. Ndërsa në shoqërinë tonë akoma ekziston mendësia që të gjitha obligimet e shtëpisë i merr përsipër gruaja, edukimi i fëmijëve është i gruas, sigurimi i të ardhurave është edhe i gruas, përgatitja e ushqimit dhe pastërtia e shtëpisë është i gruas, kujdesi natën i bebeve është i gruas, e kështu me radhë. Ndërsa burri kthehet nga puna 8 orësh në shtëpi, i shtrirë në divan duke parë emisionin e tij të preferuar dhe duke pritur darkën që të shtrohet në tryezë. Me të drejtë më vijnë ndër më vijnë ndër mend poezia e Andon Zako Cajupit:

Burrat nën hije,

Lozin kuvendojnë

Pika që s’u bie

Se nga gratë rrojnë

 

Gruaja të mbulohet jo për burrin por për Zotin:

Qëllimi kryesor i mbulesës është praktikimi i një urdhërese fetare. Gratë dhe vajzat nuk vejnë mbulesën që meshkujt mos kenë “objekt për të shikuar”, por për të zbatuar një urdhëresë të Zotit. Nuk vendoset mbulesa që të mos sprovohen meshkujt por për veten. Në thirrjet dhe këshillat fetare që i drejtohen grave dhe vajzave për mbulesën, nuk duhet të jetë si qëllim një parandalim fenomeni negativ shoqëror, por fitimin e kënaqësisë së Krijuesit tonë.

Si përfundim do doja të nënvizoj që  procesi i ndryshimit dhe përmirësimit është një proces që kërkon kohë, përkon vetëdije, kërkon inteligjencë dhe kërkon njohje adekuatë të dispozitave islame. Ky proces që të jetë i suksesshëm duhet të bëhet bashkërisht mes bashkëshortëve, mes vëllait dhe motrës, mes babës dhe bijës, e kështu me radhë. Ky proces ka nisur të këtë vetëdijesimin e tyre nga personat që kanë nivel të lartë të inteligjencës dhe kanë sensin e drejtësisë dhe barazisë. Këto janë shembuj të prindërimit të suksesshëm, shembuj të një raporti bashkëshortor të suksesshëm. Këto janë ato shembuj që duhen ndjekur dhe praktikuar dhe duhen duartrokitur dhe falënderuar./Mesazhi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi