Populli dhe opozita, lojë kukafshehtas mes tyre

Ka të ngjarë që të dyja palët, pra populli dhe opozita, të mësuar keq nga “Katovica” në fillimet e “Demokracisë”, të presin urdhër apo VKM nga qeveria se kur mund të ngrihen kundër saj… Kuptohet, jo për ta rrëzuar, por për ta zgjuar nga gjumi i gjatë dhe i rëndë, sidomos në vitin e parë të mandatit të dytë.

Ka rreth 5 vjet që krahas shumë dukurive absurde, paradoksale, allashqiptare, për të qeshur e për të qarë, po përjetojmë edhe një “lojë kukafshehtas” mes popullit dhe opozitës. Janë edhe fare afër, edhe shumë larg. Populli bën sikur e do dhe e pret opozitën. Kjo bën sikur e dëshiron me përgjërim dhe e pret me padurim popullin. Në vendet me demokraci të vërteta, të përjetueshme, të konsoliduara, opozitat nuk e kanë kaq të vështirë sa opozita jonë dhe populli ynë për t’u afruar, për konsensus, bashkëveprim, kundërvënie të përbashkëta antiqeveritare, kur shumicat qeverisëse ua sjellin në majë të hundës, i mbushin sa derdhen kupat e durimit, “tërbohen” nga pushtetet e tepruara dhe nga vjetërsia në qeverisje. Në vendet me popull dhe opozitë gjendet me kohë mirëkuptimi se kush duhet të ngrihet më parë dhe se si do të veprojnë bashkë. Kjo, sepse në këto vende lidhja dhe bashkëpunimi opozita-popull nuk shikohet, interpretohet dhe propagandohet si konspiracion, si veprimtari antiligjore, antishtetërore, destabilizuese… Prandaj, opozitat nuk kanë frikën e paragjykimit, të gogolizimit kur dalin në krye apo mbështesin protesta qytetare antiqeveritare. Por, fatkeqësisht, ne jemi “sui generis” për shumëçka si vend e si popull. Prandaj tek ne ndodh ose e kundërta fare, ose shumë ndryshe. Këtu tek ne edhe nëpër shtëpi, kafene, pijetore, lulishte, autobusë, avionë, tragete… dëgjon shumë qytetarë, që fajet dhe përgjegjësitë e zhgënjimeve dhe të pakënaqësive të tyre nga keqqeverisja qendrore e lokale, i kërkojnë,  shikojnë dhe “gjejnë” më së shumti, ose vetëm tek populli, ose vetëm tek opozita. Kjo shprehet edhe në ankesat që dëgjohen rëndom kudo nëpër Shqipëri e media: “Këtu nuk ka popull”, “Këtu nuk ka opozitë”, “Këtu nuk ka shtet”… Përgjithësisht, me apo pa dashje, harrohet të thuhet edhe se “Këtu nuk ka qeveri”. Do të ishte në të mirën e përgjithshme që të bëhet një analizë më e thellë, më objektive, më e paanshme, më e pandikuar nga lidhje e nostalgji, nga militantizmi, nga interesa të vjetra e të e reja… se jo për gjithçka e jo të gjitha fajet i duhen faturuar PD-së, opozitës në përgjithësi dhe Saliut si individ. As popullit, duke e fajësuar të gjithin për shkallë të ulët emancipimi demokratik dhe qytetar dhe nivel të lartë të mentalitetit fshataresk, militantizmit partiak, manipulimit… As inteligjencës, truri, potencialet dhe veprat e së cilës, realisht tek ne, në këta 74 vjet të mbretërimit nga e majta, e sidomos në këta 28 vjet të demokracisë “katoviciane”  janë vlerësuar dhe trajtuar si një nga mallrat më të pavlerë… Kështu, me një analizë të tillë mund të arrihet t’i gjenden çdo pale fajet, gabimet e përgjegjësitë apo meritat, dështimet dhe sukseset. Gjithashtu, mund të ndriçohen më shumë shikimi dhe analizimi për krahasimin se cila është pak më e mirë, pak më e suksesshme, pak më e dobishme, pak më me politikë sociale të vërtetë e të ndjeshme, pak më e ndershme apo më pak e korruptuar… Kjo analizë do të ndihmonte “për të zbuluar” pas 77 vjetësh apo “një mali me fakte” edhe se cila është, nga na ka ardhur dhe kur ka nisur e keqja jonë si vend e si popull… Në fundmars-fillimdhjetor 1990, kur u ngrit rinia e Kavajës, Shkodrës, ajo studentore dhe një pjesë e madhe e popullit nuk kishte as PD dhe as opozitë. Pra, shumëçka ishte dhe është në dorën e popullit. Edhe dalja e shumë qytetarëve nga “ngujimi” nëpër kafene, pijetore, lojëra fati, lulishte…, ku nuk lodhen duke sharë qeverinë, pozitën, opozitën, kryebashkiakët… dhe ku “nuk kuptojnë” se kështu po “harrojnë” edhe vetveten, të sotmen dhe të ardhmen e tyre e të fëmijëve… Në dorë të popullit është edhe “zgjimi nga gjumi 5-vjeçar” i PD-së dhe mbarë opozitës… dhe tërheqja e saj apo dalja e vullnetshme, qoftë edhe me gjysmë mendje e zemre, në sheshet e protestave popullore, qytetare, demokratike. Natyrisht, ashtu si PS kur ishte në opozitë, pa u stepur dhe trembur nga frika e paragjykimeve dhe akuzave qeveritare se po nxit dhe udhëheq qytetarët në protesta antiligjore, destabilizuese, antikombëtare, antiintegrim, antiamerikane, anti-BE… Kuptohet lehtë se kujt i intereson të jetë sa më e madhe dhe e vazhdueshme frika e shoqërisë civile dhe përgjithësisht e qytetarëve, për bashkëveprim me opozitën dhe e kësaj për t’iu bashkëngjitur apo dalë në krye protestave qytetare. Nëse ia arrijmë t’i vështrojmë dhe analizojmë njerëzit, partitë, liderët, drejtuesit qeveritarë, punët, rezultatet, sukseset apo dështimet me sytë e ballit e jo të partive dhe të kryetarëve të zemrës apo të atyre që na bëjnë “skllevër” me ndonjë të mirë apo përfitim, do të jemi në gjendje që t’u afrohemi shumë ose “t’i prekim” me duar plot të vërteta lakuriq. Natyrisht, viktima dhe bashkëfajtorë të keqqeverisjes nga ekipet e “Rilindjes” apo “Rama” janë edhe pjesa më e madhe e atyre ve që i duan dhe mbështesin me zemër, bindje e votë. Heshtja, besnikëria, militantizmi, “verbëria” e disave prej tyre shkon deri në vetëmohim apo në harrim të vetvetes, të së sotmes e të ardhmes së fëmijëve, të nipërve e mbesave. Disa prej këtyre të habisin dhe të frikësojnë me nivelin e lartë të militantizmit e të mbështetjes së palogjikshme ndaj qeverisjes, duke arritur të nxjerrin nga goja edhe shprehje si kjo, “le të na e fusë jo sa krahu, por sa trau partia dhe qeveria jonë, vetëm Berisha dhe Luli të mos rivijnë në pushtet…”. Me këtë kontingjent masiv adhuruesish, mbështetësish, militantësh, ortakësh… merret me mend se Edi Rama me shokë e shoqe ndihen më të fortë e më të sigurt… Prandaj veprojnë më me arrogancë e prepotencë, vrapojnë më me shpejtësi,  pangopshmëri dhe pandjeshmëri njerëzore e sociale, në rrugën e sheikizimit të tyre individual, familjar, ortakëror, klientelist… Shumëkujt mund t’i shkojë ndërmend se ata nuk janë “origjinalë”. Në këta 5 vjet po zbatojnë apo “rilindin” përvojën e Enverit: Nxija sa më shumë jetën këtij populli, mashtroje, masakroje, vidhe, diskriminoje, dhunoje e përdhunoje sa më shumë, sepse jo vetëm që nuk kundërshton, por të thotë edhe me mirënjohje “Rrofsh sa malet! Marrsh nga ditët tona”! “Ju sa më gjatë në pushtet, me unitet dhe si mbretër, pa për ne e fëmijët tanë të mendojë Zoti në qiell! Ajo pjesë masive e popullit që e do, mbështet dhe e voton pa asnjë rezervë qeverisjen e “Rilindjes” do t’i bënte mirë, së pari vetvetes, në qoftë se kupton dhe ndërgjegjësohet se veprimet e papërgjegjshme apo pa ndjeshmëri njerëzore e sociale, se mashtrimet, dështimet, neglizhencat, symbylljet dhe privilegjimet për shokët dhe ortakët, shpërdorimet, abuzimet financiare e ligjore të qeverisë qendrore e vendore dëmtojnë njëlloj të djathtë e të majtë. Gjithashtu, pjesa e majtë e popullit, përgjithësisht ka logjikën, formimin dhe pjekurinë e nevojshme sa për të kuptuar se supermerketet dhe minimarketet, farmacitë, spitalet, lokalet… ku tregtohen ushqime, zarzavate, fruta, lëngje, pije, barna… me nivele të larta skadence ose helmesh dhe hormonesh dhe shumica, me çmime më të larta edhe se në Gjermani dhe me tendencë rritjeje, nuk janë të ndara për “të majtë” e për “të djathtë”. Po kështu, nuk kanë një ndarje të tillë edhe faturat e larta e në rritje të vazhdueshme të ujit, të dritave, internetit, celularëve, programeve televizive, të studimeve në universitete, sportelet e pagesës së taksës në “Rrugën e Kombit”, në Kukës, të karburantit në të gjithë vendin…

Populli pret opozitën, kjo pret popullin. Qeveria shfrytëzon pritjen e pafund të njëri-tjetrit prej të dy palëve, shanset dhe kohën e humbur prej tyre për të vazhduar marshimin e saj drejt koncesionizmit, kullëzimit, monopolizimit ekstrem të pasurive shtetërore, kombëtare, publike në pak duar oligarkësh apo ortakësh, jo pak edhe me dosje voluminoze kriminaliteti, me lidhje gjaku apo të pista me kryeministrin, ministra, deputetë, kryetarë të komisioneve parlamentare, kryebashkiakë, prefektë… Por,  kjo rrugë na çon edhe drejt vafërimit sa më të madh të shumicës së popullit, nëpërmjet rritjes së taksave e të çmimeve të ushqimeve, të faturave të dritave, ujit, karburanteve, të paketave të telefonisë celulare, të internetit, programeve televizive; drejt braktisjes sa më masive të vendit nga moshat e reja, drejt shtimit të frikshëm të shifrave të kriminalitetit, vjedhjeve, të konsumimit të alkoolit, drogave, drejt dhunës ndaj grave, vetëvrasjeve…

Në këto kushte, kur vendi po zhytet pandalshëm gjithnjë e më thellë në detin e krizës shumëformëshe, të depresionit masiv individual, familjar, social, jo pak intelektualë me përgjegjshmëri dhe kurajë të lartë qytetare dhe intelektuale, shumica pa lidhje, sinkronizim apo konspiracion me opozitën, kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë thirrje për kundërvënie masive qytetare. Por, deri më sot zërat e tyre ose kanë rënë në veshë të shurdhët, ose kanë humbur si në shkretëtirë apo në mes të oqeanit. Kjo është e kuptueshme. Bojkoti demokratik e qytetar, ka forcë, efektivitet dhe përgjithësisht sukses në ato vende ku nuk janë zbatuar për 28 vjet skenarët e “Katovicës” dhe të Sorosit… Domethënë, ku ka demokraci të vërtetë, popull me kulturë qytetare, demokratike, politike dhe jo “turma kukullash apo pinguinësh”, ku ka opozitë të sinqertë, sindikata të fuqishme, qeverindryshuese apo qeverirrëzuese…

Ka të ngjarë që të dyja palët, pra, populli dhe opozita, të mësuar keq nga “Katovica” në fillimet e “Demokracisë”, të presin urdhër apo VKM nga qeveria se kur mund të ngrihen kundër saj… Kuptohet, jo për ta rrëzuar, por për ta zgjuar nga gjumi i gjatë dhe i rëndë, sidomos në vitin e parë të mandatit të dytë. Sinqerisht nuk ndiej aspak kënaqësi që koha po më jep të drejtë edhe vetëm për titullin “Mandati i dytë, kockë në fyt” të analizës së botuar po në këtë gazetë, më 24 qershor 2017. Qeveria “Rama 2”, ashtu si ato “Berisha 2” më 1996-1997 dhe më 2009-2013, “Nano 2” më 2001-2005, po shprehin me vepra të shumta se mandatet e dyta janë dështake dhe djegëse vitesh, projektesh, vlerash, dobish për vendin dhe popullin. Për mendimin tim, kjo ndodh sepse kryeministrat, ministrat, zv.ministrat, drejtorët e përgjithshëm, deputetët, prefektët, krybashkiakët… e shumicave qeverisëse “tërbohen” nga plotpushtetshmëria politike, ligjore e joligjore, partiake dhe administrative, nga fitimet sheikore dhe privilegjet e pakontrollueshme individuale dhe familjare, nga servilizmi, euforia, pandëshkueshmëria ligjore e morale…

/Nga: Xhevat Mustafa/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi