Politika e jashtme gjermane – notë e dobët për qeverinë Merkel

Dy vite pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani, duket se politika e jashtme gjermane ka mbetur pa ide të qarta. Ky është një moment i keq.

Në Berlin janë mësuar me kritikat e Donald Trumpit. Presidenti amerikan ankohet më së shumti, se Gjermania nuk po paguan sa duhet para për sektorin e mbrojtjes. Tani në një telefonatë ai është ankuar edhe për politikën e jashtme gjermane: “Gjermania nuk po bën gati asgjë për ju”, citohet të ketë thënë Trumpi në një telefonatë. Qeveria gjermane është e mendimit të kundërt.

Miqësia e ngushtë e Gjermanisë me SHBA është një nga dy shtyllat e politikës së jashtme prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Prej ardhjes së Trumpit në pushtet, kjo shtyllë është lëkundur. Presidenti amerikan ende nuk e ka vizituar Berlinin zyrtarisht pas marrjes së pushtetit, ndërkohë që sulmet kundër Gjermanisë nuk kanë të ndalur. Se çfarë fshihet pas kësaj, mund të shihet edhe nga telefonata me presidentin e Ukrainës. Marrëdhëniet transatlantike janë cënuar seriozisht.

Qeveria gjermane po përpiqet të zgjerojë kanale të tjera bashkëpunimi, por problemet me Trumpin mbeten. Opozita pohon, se kancelarja Merkel ende nuk ka gjetur rrugën më të mirë të komunikimit me Trumpin: “Mungojnë impulset për përpimirësimin e raporteve me SHBA”, thotë shefi i liberalëve Christian Lindner, i cili mendon se politika e jashtme gjermane po shënon lodhje.

Angela Merkel duket si “rosë e çalë”

Para dy vitesh Angela Merkel ka filluar edhe një mandat tjetër të Unionit së saj CDU/CSU dhe SPD. Shumëkush e ka pasur të qartë se ky është mandati i saj i fundit, por nuk ka qenë e qartë se ajo vetëm pas dy vitesh në arenën ndërkombëtare do të shihet si një “rosë e çalë”.

Si “lame duck” quhen në SHBA presidentët nga fundi i mandatit të tyre, sepse humbin peshën politike. Jana Puglierin nga Shoqata Gjermane për Politikë të Jashtme beson se ndërkohë Angela Merkel po kuptohet si e tillë. “Në planin e brendshëm politik ndoshta nuk mund të arrijë shumë, por në politikën e jashtme ka ende hapësirë”, mendon ajo.

Përgjigja ndaj Macronit

Frankreich 2018 | Wladimir Putin, Präsident Russland & Angela Merkel, Bundeskanzlerin (Getty Images/AFP/G. Fuentes)
Gjermania ende ka mundësi veprimi në Bashkimin Evropian, por Gjermania tani është nën presion, për shkak të Breksitit të mundshëm dhe nacionalizmave të tjerë. Angela Merkel ia doli që për herë të parë pas 50 vitesh të emërohet në krye të Komisionit Evropian një gjermane. Ajo mund të ketë influencë të madhe në Berlin, por edhe në Bruksel.

Në marrëveshjen e koalicionit mes CDU, CSU dhe SPD thuhet se qëllimi është forcimi i BE. Por kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer ende nuk është përgjigjur ndaj propozimeve të Macronit për reformën e BE. Macroni ka filluar tani të marrë vet në dorë fatin e Evropës.

Macroni takohet me Putinin, këshillohet për krizën në Ukrainë, Macroni fton ministrin e Jashtëm të Iranit në takimin e G7-ës, Macroni po bën aleanca jashtë BE. “Parisi është shumë aktiv, ndërsa Berlini po hesht”, konstaton Jana Puglierin. Mungesa e ideve në Berlin konsiderohet si lodhje e Merkelit në këtë post. Ylli i Angela Merkelit duket se po zbehet në BE. “Gjermania kaherë ia ka dorëzuar Francës rolin udhëheqës në BE”, pohon Christian Lindner.

Fajin e ka koalicioni i madh

De Masi beson se pasiviteti i politikës së jashtme gjermane është pasojë e koalicionit të madh në Gjermani. “Koalicioni i madh është lodhur, është rraskapitur”. Politikanët e majtë në Gjermani dhe Francë e bëjnë përgjegjës koalicionin e madh.

“Nga perspektiva e Francës ekziston gjithmonë frika, se koalicioni i madh në Gjermani do të dështojë.”

Në koalicionin e madh në Gjermani ka pasur përçarje prej fillimit për politikën e jashtme dhe sigurinë, thotë Jana Puglierin. Ata nuk janë dakord për politikën ndaj ushtrisë, armatimeve dhe tema të tjera. Kohët e fundit ka pasur mosmarrëveshje edhe për përdorimin e ushtrisë gjermane në luftën kundër Shtetit Islamik (IS). Rezultati – një kompromis i brishtë. Puglierin mendon se këto mosmarrëveshje kufizojnë edhe fushëveprimin e kancelares Merkel.

Koalicioni i madh është dakord për politikën e bashkëpunimit ndërkombëtar, institucionet e BE dhe NATO-s. Ministri i Jashtëm Heiko Maas ka propozuar edhe një “Aleancë të multilateristëve”. Me vendet si Singapori, Gana apo Kanadaja, por edhe disa vende evropiane, ai synon të krijojë një aleancë për më shumë rregull, drejtësi dhe paqe.

Gjermania ka tani një shans të mirë për veprim në politikën e jashtme. Ajo është në KS të OKB për dy vite me radhë. Nga mesi i 2020 do ta kryesojë KS. Nëse koalicioni nuk prishet, Merkel do të jetë kancelare deri në vitin 2021. Por politika e saj e jashtme në këtë periudhë, me siguri që nuk do të futet në librat e historisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi