Policë vullnetarë në mbështetje të Policisë së Shtetit

Qeveria miratoi ditën e mërkurë një vendim për organizimin e Policimit Vullnetar.

Këta efektivë do të jenë në mbështetje të strukturave të Policisë së Shtetit, në aktivitete të ndryshme, përfshirë tubimet, koncertet, festivalet.

Ata po ashtu do të jenë edhe menaxhues të trafikut në zonat e rënduara urbane dhe rurale. Policët vullnetarë, shërbimin e tyre do ta kryejnë pa armë në brez.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 76, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. ORGANIZIMI, FUNKSIONIMI DHE FUSHA E VEPRIMIT TË SHËRBIMIT TË POLICIMIT VULLNETAR

  1. Shërbimi i policimit vullnetar funksionon në mbështetje të strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunon me këto të fundit me qëllim:

a) sigurimin dhe garantimin e rendit publik në aktivitetet me karakter masiv, si tubime, koncerte, festivale, aktivitete sportive dhe organizime fetare;
b) dhënien e ndihmës për menaxhimin e trafikut rrugor në qendrat urbane dhe rurale;
c) dhënien e ndihmës për rritjen e sigurisë publike pranë institucioneve arsimore;
ç) kontrollin e territorit, mbështetjen e patrullimit policor për parandalimin e krimit dhe ndërhyrjen ndaj shkeljeve të ligjit;
d) përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave civile, fatkeqësive natyrore, si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit me karakter masiv.

  1. Polici vullnetar e kryen veprimtarinë e tij nën mbikëqyrjen e punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili caktohet nga drejtuesi i strukturës vendore.
  2. Kryerja e shërbimit të policimit vullnetar është i papajtueshëm me funksionet e gjyqtarit, prokurorit, përmbaruesit gjyqësor, drejtuesit në strukturat politike, punonjësit në institucionet e sigurisë kombëtare apo publike, të shërbimit të provës, të policisë së burgjeve dhe të Gardës së Republikës.

II. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË VEÇANTA TË PRANIMIT NË SHËRBIMIN E POLICIMIT VULLNETAR

  1. Kriteret e përgjithshme të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo i larguar nga administrata publike;
ç) Të ketë përfunduar arsimin e mesëm;
d) Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
dh) Të jetë i moshës nga 18 deri në 65 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.

  1. Kriteret e veçanta të pranimit të shtetasit në shërbimin e policimit vullnetar janë, si më poshtë vijon:

a) Të ketë përfunduar trajnimin e detyrueshëm me vlerësim pozitiv, si dhe të jetë i certifikuar nga Akademia e Sigurisë;
b) Të jetë i pajisur me vërtetimin e besueshmërisë.

III. TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E POLICIT VULLNETAR

  1. Polici vullnetar ka të drejtë:

a) të njihet paraprakisht me të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë e shërbimit të policimit vullnetar, si dhe me sanksionet në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim dhe nga kontrata individuale e vullnetarizmit;
b) të rimbursohet për shpenzimet e kryera gjatë orarit të shërbimit apo jashtë qendrës së banimit, në ndihmë të strukturave policore;
c) të pajiset me veshje, shenja dalluese dhe pajisje të tjera ndihmëse, të përcaktuara me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në përputhje me natyrën e aktiviteteve të vullnetarizmit dhe shërbimeve që do të kryejë;
ç) të kërkojë në mënyrë individuale vlerësim ose vërtetim pjesëmarrjeje për kontributin e punës vullnetare të dhënë prej tij nga struktura vendore e policisë;
d) të kryejë trajnime falas në Akademinë e Sigurisë, sipas programeve të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

  1. Polici vullnetar gjatë shërbimit dhe/ose jashtë tij ka përgjegjësi:

a) të ndjekë programin e trajnimit të detyrueshëm;
b) të marrë pjesë në trajnime që organizon Policia e Shtetit, për të përmirësuar cilësinë e punës e të shërbimit;
c) të kryejë aktivitetin e vullnetarizmit i paarmatosur, në përputhje me rregullat, udhëzimet dhe kërkesat e etikës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
ç) të ruajë sekretin profesional, si dhe konfidencialitetin e të dhënave personale, me të cilat njihet gjatë angazhimit, si polic vullnetar;
d) të zbatojë detyrat dhe udhëzimet e dhëna nga mbikëqyrësi në nivel vendor i Policisë së Shtetit, përveç rasteve kur:

i. janë në kundërshtim me ligjin;
ii. paraqesin rrezik për jetën dhe shëndetin e vullnetarit, si dhe atë të njerëzve të tjerë;
iii. konsiderohen moralisht të papranueshme nga ana e vullnetarit;
iv. vijnë në kundërshtim me kontratën e vullnetarizmit;

dh) të njoftojë përfaqësuesin apo mbikëqyrësin e Policisë së Shtetit, në lidhje me pasojat, kur ndodhet përpara zbatimit të urdhrave që mund t’i shkaktojnë dëme të shëndetit ose jetës së tij.

  1. Gjatë shërbimit, polici vullnetar mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar nga veprimet e tij të kryera në kundërshtim me ligjin.
  2. Polici vullnetar kryen shërbime publike në mbështetje të punonjësve të Policisë së Shtetit.
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi