Po fitojnë miliona dollarë duke shitur ajër kanadez

 

 

Moses Lam dhe Troy Paquette janë partnerë në “Vitality Air”, një kompani që shet shishe me ajër  të marrë nga Parku Nacional i Banff-it në Kanada. Ajo që filloi si një shaka është kthyer në një biznes të vërtetë. Njerëz nga Kina, India, Meksika e SHBA-ja po blejnë shishe të “Vitality Air”. Këto nuk janë tanke të oksigjenit për qëllime mjekësore, konsumatorët thjesht duan të blejnë ajër të freskët.

Shishja, e shitur me pakicë kushton 20 dollarë, ndërsa çmimi me shumicë është shumë më i ulët. Vitin e kaluar kompania shiti 40,000 njësi dhe ata shpresojnë ta dyfishojnë shifrën në vitin 2018.

“Nëse Fixhi mund të shiste ujë, pse nuk mund ta shesë Kanadaja ajrin?”

Në 2014-ën, Lam dhe Paquette testuan idenë e tyre zbavitëse duke vënë një qese plastike të ajrit kanadez në “Ebay”. Çmimi ishte 99 cent.

“Na kushtoi 10.99 $ për ta dërguar atë, kështu që, në të vërtetë, kemi humbur paratë në atë dërgesë të parë”, tha Lam. Por djemtë vendosën ta provojnë përsëri dhe qesja e dytë e ajrit u shit tek një amerikan për 168 dollarë. Në vitin 2015, ata investuan rreth 1 milion dollarë për të nisur “Vitality Air”. 60,000 $  u shpenzuan për një kamion dhe 14,000 $  për rimorkion. Ata morën me qira një ndërtesë dhe e kthyen atë në një dhomë të pastër për të paketuar ajrin.

Paquette tha se agjentët e doganave nga vende të ndryshme ishin të hutuar nga kjo shpikje në dukje e re për konsumatorët, edhe pse ekzistonin produkte të tjera të ajrit të kompresuar. Të dy burrat u detyruan të marrin kurse të veçanta se si të mbledhin dhe të transportonin ajrin, të cilat u kushtuan më shumë se 250,000 dollarë.

Në qershor të atij viti, ata shitën kutinë e tyre të parë. Shitjet e “Vitality Air” për atë vit ishin vetëm 30,000 dollarë. Në 2016 -ën  ata u rritën në 230,000 dollarë, vazhduan të rriteshin edhe në vitin 2017 dhe për 2018-ën, parashikojnë të arrijnë në 500,000 dollarë. Kompania tashmë ka edhe një degë në Korenë e Jugut, të quajtur “Jiri Air”, e cila e merr ajrin nga malet në pjesën jugore të Gadishullit Korean.

Shtojca

Lini nje Koment