Personi që ishte në kërkim, e grabit bankën para “hundës” së Policisë

I riu në kërkim kryen grabitje spektakolare të bankës në Tepelenë.

Një bankë e nivelit të dytë në qytetin e Tepelenës ka rënë pre e grabitjes pasditen e së hënës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10 në qendër të qytetit. Autori i grabitjes, që ka qenë i vetëm, mbante në dorë një armë zjarri me tytë të gjatë dhe nën kërcënimin e saj, grabiti paratë që ndodheshin në arkë.

Ai nuk ka folur asnjë fjalë, por u ka bërë me shenjë punonjësve të bankës t’i dorëzojnë paratë. Grabitësi e ka menduar me detaje aksionin, pasi ka kaluar me mjetin tip “Benz”, ngjyrë gri, jo në rrugën që kalon para Komisariatit të Policisë, duke shmangur edhe patrullën.

Autori është drejtuar në bankë në momentin që patrulla e Policisë është larguar. Duke hyrë me shpejtësi, i maskuar me një kapuç dhe pa folur asnjë fjalë, ai ka kërcënuar me armë punonjësit e bankës, ka grabitur lekët që ndodheshin në arkë dhe është larguar.

Ndonëse nuk e ka përdorur armën, një plumb ka mbetur brenda në bankë. Punonjësit e bankës, të tronditur nga ngjarja, nuk kanë aktivizuar sinjalin e alarmit për të lajmëruar në kohë Policinë. Sipas të dhënave të deritanishme, pas grabitjes, autori i armatosur është larguar në drejtim të fshatit Salari.

Policia e Tepelenës ngriti postblloqe të shumta në të dyja segmentet e rrugës nacionale Tepelenë-Kakavijë dhe Tepelenë-Tiranë.

Një orë pas ngjarjes, Policia e Tepelenës mundi të bëjë identifikimin e autorit.

Bëhet fjalë për K.R., rreth 25-vjeç, një person i shpallur në kërkim, me precedentë penalë, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike.

Në ndihmë të efektivëve të Tepelenës erdhën dhe forca të FNSH-së, ndërsa po bëhet krehja e zonës për kapjen e autorit.

“Rreth orës 15:10 në Tepelenë një person i maskuar është futur në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe nën kërcënimin e armës dyshohet se ka marrë një sasi parash që ndodheshin mbi banak. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli, si dhe po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorit”, bën me dije Policia.

Ka dyshime se, autori, pak ditë më parë, ka kryer një grabitje me dhunë në Memaliaj.

Këtyre dy grabitjeve të rënda me armë që dyshohen se janë nga i njëjti person, i identifikuar si një i ri në moshë, shtatlartë dhe i maskuar me kapuç, që më pas largohet me automjet, i shtohen edhe dy grabitje të njëpasnjëshme brenda një nate, të kryera nga një adoleshent, me shuma shumë të vogla parash, por me ndikim të madh në psikologjinë e banorëve të Tepelenës./

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi