Përse po mbahet Samiti i Sofjes dhe çfarë po synon Bashkimi Europian?

Samiti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor që mbahet sot në Sofje të Bullgarisë, në Prishtinë po shihet si ngjarje e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimet europiane.

Sipas analistëve politikë dhe atyre të integrimeve evropiane, Samiti i Sofjes ka për qëllim përafrimin mes shteteve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e lidhjeve në infrastrukturë, në aspektin digjital dhe njerëzor.

Ndërsa, sipas Bashkimit Evropian, në këtë samit vendet pjesëmarrëse do të diskutojnë mundësitë që të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta, si siguria, migracioni, zhvillimet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se Samiti i Sofjes do të jetë një rikonfirmim se Ballkani Perëndimor, me gjithë vështirësitë dhe vonesat, do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Samiti i Sofjes që po mbahet është një moment i rëndësishëm. Është një rikonfirmim i ri se vendet e Ballkanit Perëndimor në një mënyrë ose tjetër do të jenë anëtare ose pjesë e Bashkimit Evropian. Nuk mund të flitet për data pasi që ajo më tepër i takon Komisionit Evropian të tregojë se ku kanë arritur vendet përkatëse, por unë mendoj që në aspektin politik është një veprim jashtëzakonisht domethënës dhe që do të lë gjurmë të veta në agjendën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Ujkani, shkruan kosovasot.

Edhe zyrtarët evropianë po e vlerësojnë këtë samit si jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi është i pari që nga Samiti i Selanikut, i cili ishte zhvilluar para 15 vjetësh.

Pjesë e Samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Sofje do të jenë mbi 30 liderë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor./Kp/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi