Përçahet edhe BESA, kryesia shkarkon kryetarin

Pas Vetëvendosjes në Kosovë përçahet edhe Lëvizja BESA në Maqedoni. Kryesia ka shkarkuar kryetarin Bilal Kasami, per shkak të rezultatit në zgjedhjet lokale, ndërsa ai vetë e cilëson një vendim të paligjshëm. BESA lindi si lëvizje nga zhgënjimi me partitë tradicionale shqiptare në Maqedoni, por që nuk i rezistoi përplasjeve.

Vetëvendosja nuk është e vetmja parti shqiptare në rajon e përballur me një krizë të thellë të brendshme. Përçarjet kanë pllakosur edhe Lëvizjen BESA në Maqedoni, kryetari i së cilës Bilal Kasami u shkarkua nga anëtarët e kryesisë qendrore pas një takimi të mbajtur në selinë e saj të Shkupit.

Vetë Kasami reagoi ashpër duke e cilësuar këtë vendim të paligjshëm dhe jashtë statusit të partisë. Edhe hyrja në selinë e saj në kryeqytet sipas tij u bë në mënyrë ilegale ashtu sikurse, siç këmbëngul ai, janë manipuluar edhe faqet zyrtare në Facebook.

“Këshilli Qendror ka shkelur me çdo veprim të tij statutin e kanë dëmtuar Lëvizjen BESA”, deklaroi Kasami, “pjesëtarët e tij -vazhdon më tej- kanë hyrë në mënyre të paligjshme në selinë në Shkup ashtu siç hakëruan edhe faqen time personale si dhe atë të Lëvizjes.

Në mbledhjen e këshillit, ishte diskutuar ndër të tjera përgjegjësia e liderit të BESA-s për zgjedhjet lokale dhe shkelja e statutit të partisë.
Në krahun e Kasamit janë rreshtuar dy deputetë të tjerë, Fadil Zendeli dhe Teuta Bilalli. Anën e kryetarit të ri Nexhbedin Kahremani e mbajnë dy ligjvënës të tjerë, bashkëthemeluesi Afrim Gashi dhe Rexhep Memedi.

Sipas mediave vendase, me këtë lëvizje goditet rëndë grupi parlamentar i kësaj lëvizjeje. Përçarja e krerëve të BESA-s, thonë ata, është përjetuar rendë tek elektorati i saj.

Lëvizja BESA, një forcë mjaft e re politike u krijua në 2014-tën, si vullnet i një grupi të pakënaqur me përfaqesimin që po u bëhej shqiptarëve në skenën politike të Maqedonisë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi