Pellegrini: Sllovakia do të vazhdojë politikën e saj për mosnjohjen e Kosovës

Kryeministri sllovak, Peter Pellegrini, pas takimit me homologen e tij serbe, Ana Brnabić, ka deklaruar se Sllovakia është një avokat i palëkundur për bashkimin e Serbisë me Bashkimin Evropian (BE).

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministren serbe, kryeministri sllovak, i cili dje ishte për vizitë zyrtare në Beograd, deklaroi se vendi i tij do të bëjë gjithçka për të ndihmuar Serbinë në këtë “rrugë të vështirë”.

Pellegrini, i cili theksoi se Sllovakia është e gatshme të ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, tha se vendi i tij po ashtu e kupton “zhgënjimin e Serbisë që rrjedh nga fakti se Kosova ka imponuar taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia”.

“Ne absolutisht pajtohemi me Serbinë se kjo masë është kundër të gjitha marrëveshjeve, të CEFTA-s (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore), si dhe paraqet shkatërrimin e besimit në këtë rajon”, tha Pellegrini.

Pellegrini po ashtu tha se Sllovakia do të vazhdojë me politikën e saj për mosnjohjen e Kosovës, megjithatë theksoi ai, vendi i tij mbështet dialogun nën të cilën Kosova përmbush detyrimet sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Pellegrini dhe Brnabić po ashtu nënshkruan një pakt që shkurton borxhin e Serbisë ndaj Sllovakisë nga rreth 24 milionë dollarë në rreth 7 milionë dollarë, për t’u paguar brenda 45 ditëve.

“Kjo tregon se qeveria serbe është duke shlyer borxhet e saj të bëra për më shumë se 25 vjet. Ne jemi një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm dhe ne do të bëjmë gjithçka që kemi në fuqinë tonë për të treguar se ata mund të mbështeten tek ne në çdo kohë”, deklaroi Brnabić.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi