PDIU thirrje: Akti i Presidentit mundësi për një pakt kombëtar

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet iu ka bërë thirrje të gjitha forcave politike për dialog e kompromis. Duke vlerësuar vendimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, Mesila Doda tha sot para mediave se ky akt është një mundësi e mirë për dialog e kompromis që duhet të na çojë në një pakt të madh kombëtar.

“Qindra mijëra shqiptarë si asnjëherë më parë protestuan për të tetën herë për varfërinë, skamjen. Sot jemi katandisur për turp. Jemi vendi i 99-të në botë për korrupsion bashkë me Venezuelën dhe Kongon dhe vendi i 79-të në botë për demokraci hibride në kufijtë e autoritarizmit, sipas The Economist.

Qindra mijëra shqiptarë për herë të tetë protestojnë kundër një grushti rilindasish që vodhën e kapën çdo pushtet me banda dhe bën vendin tonë një vend që eksporton vetëm kanabis, emigrantë dhe krim të organizuar duke vënë kështu në rrezik një ndër fitoret më të mëdha të 30 viteve të fundit, lëvizjen e lirë dhe pa viza të shqiptarëve.

Qindra mijëra shqiptarë, si asnjëherë tjetër protestuan kundër zgjedhjeve farse të 30 qershorit, ku për herë të parë pas 30 vitesh shqiptarët do rrezikonin pluralizmin politik dhe demokracinë, duke votuar një parti të vetme, si dikur babain shpirtëror të Rilindjes, Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës. Akti i Presidentit dje është një mundësi e mirë për të gjitha forcat politike, që dialogu, kompromisi që kalon nga zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri tranzitore e cila do të përgatisë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta që ky vend s’i ka bërë dot për 30 vjet duhet të na çojë në një pakt të madh kombëtar për Shqipërinë”, deklaroi Mesila Doda.

Ajo theksoi se “sot PDIU i bën thirrje të gjitha forcave politike që t’i udhëheqë arsyeja dhe paqja sociale, dialogu dhe kompromisi si interes primar kombëtar”. “Çdo rrugë tjetër do na çojë në një situatë të rrezikshme për demokracinë, pluralizmin dhe interesin kombëtar që shqiptarët nuk na e kanë aspak për borxh”, deklaroi Doda.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi