PD nxjerr video-përgjim të ri. Akuzë drejtorit të policisë; Veliu mohon: Nuk e shoqërova Alizotin

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji postoi në faqen e tij të Facebook-ut një video-përgjim realizuar nga disa persona me Alfred Alizotin, dëshmitarin që, sipas prokurorisë, ka pranuar se ka aktruar si të ishte Agron Xhafaj në audio-përgjimin “Babale”.

Salianji thotë se në video është dëshmitari i prokurorisë mbi dëshminë dhe përgjimet e të cilit kanë marrë masë shtrënguese mbi një gazetar që i ka shërbyer publikut me investigim me risk të lartë. Salianji akuzon kryeministrin për manipulim.

Pas publikimit, ka reaguar drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu me anë të një deklarate me shkrim, pasi ndodhet ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në deklaratën e Policisë së Shtetit thuhet se “Drejtori i Përgjithshëm nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti. Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË”.

Në deklaratë thuhet se ditën kur është bërë shoqërimi i Alizotit nga policia për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ai ka qenë me angazhime të tjera. “Me përgjegjësi publike deklarojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes së njohur publikisht si çështja “Babale”. Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohë do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë ose gjykatës”, lexohet në deklaratë.

Më tej, sqarohet se në lidhje me çështjen hetimore “Babale”, Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedural me iniciative të vet, por në çdo rast ka vepruar kur ka patur urdhërime të prokurorisë ose të gjykatës. Në këtë kuadër, edhe shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes. Ky veprim procedural është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

Video-përgjimi me Alfred Alizotin u paraqit nga deputeti Salianji dy ditë pasi në media dolën dokumenta të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që tregonin se video-përgjimi “Babale” ishte një sajesë në shkëmbim të 200 mijë eurove, të cilat në fund nuk ishin dhënë dhe kjo shkaktkoi reagimin e një prej aktorëve që t’i telefononte vetë policisë dhe të rrëfente. Pas hetimeve, përgjimeve dhe verifikimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e Fredi Alizotit, Albert Veliut dhe detyrim paraqitje për gazetarin Jetmir Olldashi.

Në dokumentat e prokurorisë del edhe emri i Ervin Salianjit si personi me të cilin Albert Veliu ka kontaktuar që në tetor të vitit 2017./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi