OSBE, ultimatum partive: Mbyllni reformën zgjedhore deri në korrik

Koha e fjalëve ka mbaruar. OSBE kërkon rezultate konkrete për reformën zgjedhore dhe finalizimin e saj brenda korrikut, ndonëse programi i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar shkon përtej shtatorit.

“Mandati i Komisionit të Posaçëm u zgjat së fundmi dhe unë i rekomandoj fort Komisionit ta finalizojë reformën zgjedhore brenda këtij afati të ri. Hapat përgatitorë që Komisioni ka ndërmarrë deri tani, kanë qenë më se të lavdërueshme. Tani është koha për rezultate konkrete. ODIHR-i rekomandon që “nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”. Ne po i ndjekim me shumë vëmendje rastet e shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurorinë e Përgjithshme dhe presim me padurim që të ketë më shumë padi dhe vendime gjykate”, u shpreh Bernd Borchardt, ambasador i OSBE.

Mesazhin e tij, ambasadori e përcolli në mbledhjen e radhës të Komisionit të Reformës Zgjedhore që bashkëdrejtohet nga demokrati Bylykbashi dhe socialisti Çuçi. Pas fjalës së dy kryetarëve, mediat u ftuan të dalin jashtë, ndërsa ngritën kokë partitë e vogla opozitare.

“Transparenca me qytetarët është më e rëndësishme”, deklaroi Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane.

“Kjo është një gjë për të cilën kemi rënë dakord dhe kemi bërë një marrëveshje”, u përgjigj Çuçi.

Ndërsa zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama tha: “Kush ka rënë dakord? Këtë vendim e merr Komisioni dhe ne nuk jemi shprehur akoma që kemi rënë dakord apo jo”.

Çështja e prezencës së kamerave ishte vetëm treguesi i një shqetësimi më të hershëm të partive më të vogla, të cilat i druhen një dakordësie në kurriz të tyre nga ana e dy të mëdhenjve.

“Mos e shisni si një zbulim të madh këtë çështje, pasi në jemi një komision që akoma nuk kemi filluar nga puna me reformën zgjedhore”, deklaroi Luan Rama.

Oerd Bylykbashi u shpreh: “Ky është një kalendar i miratuar dhe ne mund të biem dakord për ta përshpejtuar”.

“Mendoj se refoma do të mbarojë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021″, tha Mediu.

“Të thuash në 6 mbledhje të njëjtën gjë do të thotë që ke xhiruar bosh”, u përgjigj Luan Rama.

Pas këtij debati, dy partitë e mëdha vendosën largimin e medias nga mbledhja.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi