OSBE: Dhuna ndaj grave në RMV nuk është raportuar mjaftueshëm

Sipas një studimi të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Maqedoninë e Veriut, në vend ekziston nevoja specifike për më shumë mbështetje dhe veprim që t’u ndihmohet grave nga grupet e pakicave dhe zonat rurale.

Këto ishin disa nga përfundimet kryesore të një studimi të OSBE-së për mirëqenien dhe sigurinë e grave në Maqedoninë e Veriut, që u prezantuan në Qeveri nga përfaqësuesit e kësaj organizate ndërkombëtare, ku dhe adresim kishte edhe kryeministri Zoran Zaev.

Sipas studimit, vetëm dy për qind e grave të anketuara në vend që u përballën me dhunë nga partnerët e tyre raportuan incidentin në polici.

Kryeministri Zaev në fjalën e tij theksoi se dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe shkel të drejtat themelore të njeriut.

“Ne si qeveri premtuam se do të punojmë në promovimin e të drejtave të njeriut dhe prandaj jemi të përkushtuar për përmirësimin sistematik të barazisë gjinore dhe eliminimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave. Ne po punojmë për zgjidhje ligjore të qarta që parandalojnë dhunën dhe mbrojnë gratë viktima të dhunës”, deklaroi Zaev.

Ai shtoi se në Maqedoninë e Veriut për herë të parë është hapur një qendër për viktimat e dhunës seksuale në të cilën viktimat do të marrin mbështetje psiko-sociale dhe ndihmë për ri-integrimin e tyre, si dhe tri qendra të tjera për referim të viktimave të dhunës seksuale në institucionet shëndetësore në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut, Clemens Koja, tha se dhuna ndaj grave dhe vajzave është një çështje më e gjerë e sigurisë. Duke u bazuar në studimin që u prezantua nga OSBE-ja, ai tha se dhuna ndaj grave në Maqedoninë e Veriut shpesh herë nuk është raportuar mjaftueshëm dhe se disa forma të dhunës fizike dhe seksuale janë përhapur gjerësisht në vend.

“Studimi sugjeron se ekziston nevoja specifike për mbështetje më të madhe dhe veprim drejtues për të ndihmuar gratë nga grupet e pakicave dhe zonave rurale. Pabarazia gjinore shtrihet në shkakun kryesor të dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave dhe nga këtu nevojitet partneritet midis aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë”, theksoi Koja.

Ai tha se dhuna ndaj grave ndikon në shoqërinë në tërësi. Koja porositi që edhe burrat të angazhohen në barazinë gjinore për t’i dhënë fund këtij lloji të dhunës.

Këshilltarja e posaçme e OSBE-së për çështjet gjinore, Amarsana Darisuren, tha se dhuna me bazë gjinore është një problem social e jo individual, dhe se ajo është rrënjë e të gjitha çështjeve gjinore.

Darisuren theksoi se studimi i OSBE-së tregon se gati gjysma e të gjitha grave të anketuara në Maqedoninë e Veriut besojnë se dhuna në familje është një çështje private që duhet të zgjidhet brenda familjes, ndërsa tre nga dhjetë gra besojnë se viktimat ekzagjerojnë në pretendimet e tyre për abuzim dhe përdhunim.

“Vetëm 2 për qind e grave që kanë përjetuar dhunë nga partneri i tyre aktual kanë raportuar këtë incident më të rëndë në polici. Për mos raportim, gratë kanë renditur turpin, arsyet financiare, mungesën e shërbimeve, frikën e pasojave dhe kuptimin e pamjaftueshëm të asaj që përbën dhunë”, tha Darisuren.

Studimi është kryer me gratë nga mosha 18 deri në 74-vjeç që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Gjithsej 1.910 gra janë intervistuar midis prillit dhe gushtit të vitit 2018.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi