Opozita maqedonase nuk do të votojë vendimin për shpalljen e referendumit

 

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk do ta votojë vendimin për shpalljen e referendumit për emrin, e cila pritet të kalojë në seancë kuvendore ku sipas Marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë emri zyrtar i vendit do të ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Jozyrtarisht, pritet që deputetët nga shumica parlamentare me nënshkrimet e tyre të inicojnë marrje të vendimit për shpallje të referendumit për emrin, ashtu siç është parashikuar me Ligjin për referendum.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, para Kuvendit të Maqedonisë deklaroi se partia e tij do të marrë pjesë në seancën për marrjen e vendimit për shpalljen e referendumit, por do të kërkojë që shumica parlamentare të heq dorë nga kjo sjellje e tyre ndaj referendumit.

“Jemi të vetëdijshëm se marrëveshja është e dëmshme, ata po përpiqen të detyrojnë me forcë nxitjen e një çështjeje shumëdimensioanle, pa marrë parasysh argumentet e opozitës. VMRO-DPMNE në atë proces nuk do të lejojë të jetë alibi e pushtetit dhe vetëm një dekor. Pyetja në referendum duhet të jetë e përpiktë dhe të qartësohet, në mënyrë që qytetarët të mund të përgjigjen me ‘për’ ose ‘kundër’”, deklaroi Janushev.

Pyetja që aktualisht paralajmërohet, sipas tij, mund t’i çojë qytetarët në konfuzion, pasi që siç tha ai, mbështetja për integrimin e vendit në NATO dhe BE nuk ka të bëjë me mbështetjen e marrëveshjes me vendin fqinj.

Për bojkot të mundshëm të referendumit, ai tha se do të vendosin organet më të larta të partisë dhe publiku do të njoftohet.

“LSDM dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje kapitulimi. Ne kërkojmë që shumica parlamentare të heqë dorë nga sjellja e tillë. Zaev dhe LSDM kanë përgjegjësi për marrëveshjen anti-shtetërore dhe të kapitulimit”, u shpreh Janushev.

Më herët, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili mori pjesë në një aktivitet në Kumanovë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve paralajmëroi se 30 shtatori është data e shënuar për mbajtjen e referendumit, ndërsa pyetja në referendum, bëri të ditur ai, do të jetë “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO përmes mbështetjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë”.

Dita e sotme në Kuvend filloi me deklaratat solemne të anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), me çka zyrtarisht u krijuan kushte që ata të marrin detyrat e tyre dhe të fillojë organizimi i referendumit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi