Operacioni, 27 në pranga për trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsion

Operacioni policor i koduar “VOL-VO 4”, për goditjen e 4 grupeve kriminale, çoi në pranga 27 persona, mes tyre dhe 3 punonjës policie.

Për laboratorin e heroinës në Has, përveç 5 të arrestuarve që dyshohet se ishin punonjës, në kërkim janë shpallur edhe 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar. Në ambientet e përshtatura për përpunimin e drogës, policia tha se u gjetën 182 kg morfinë dhe 22 litra lëndë e lëngshme dhe pajisje të tjera që përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Ndërkohë, pasditen e së dielës në Shijak, por edhe 12 qytete të tjera të vendit, u arrestun 19 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve. Anëtarë të familjes Avdyli, me influencë në këtë zonë, përfunduan në pranga, ndërsa Sarandë u arrestua edhe Petro Kuçi, i njohur dhe me emrin Abedin, i cili mësohet se është i afërm i Klement Balilit, i cili vijon arratinë prej me shumë se 2 vitesh.

Sipas burimeve, pasditen e së dielës është kontrolluar me vendim gjykate dhe banesa e Lulzim Berishës në Durrës, por nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm. Ky i fundit mësohet se nuk është shpallur në kërkim, ndryshe nga çfarë u aludua fillimisht në media.

Për shpërdorim detyre dhe ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal u arrestuan dhe 3 punonjës policie, mes tyre një shef turni në Doganën e Morinës.

Në operacion morën pjesë 1500 forca policie.

Ardi Veliu, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, tha: “Janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit”.

Duke renditur edhe arrestimet për tjetërsimin e tokave në Lezhë, drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda tha se këto grupe po hetohen edhe për ndikimin dhe lidhjet në institucione shtetëore./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi