Operacion kundër trafikimit të personave, 17 të arrestuar në Shqipëri

Policia e Shqipërisë gjatë operacionit të organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë ka arrestuar 17 shtetas shqiptarë, mes tyre 2 punonjës policie, të akuzuar për falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit dhe për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, në një konferencë për mediat, tha se gjatë operacionit janë zbuluar dhe sekuestruar disa laboratorë për falsifikimin e dokumenteve, konkretisht të pasaportave dhe vizave.

Ndërkohë, 24 shtetas të tjerë, kryesisht shtetas shqiptarë dhe grekë, por edhe të kombësive të tjera, në kuadër të hetimeve ndaj grupit në fjalë janë arrestuar në Greqi në dhjetor 2017 në bashkëpunim mes Policisë së Shqipërisë dhe Policisë së Greqisë.

“Trafikantët merrnin deri 20 mijë euro për person të trafikuar, shqiptar ose të huaj. Pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia”, thuhet në deklaratën e policisë.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi