OKB: Ushtria e Mianmarit të gjykohet për gjenocid

Misioni i Pavarur Ndërkombëtar për Hetime për Mianmarin, i themeluar nga Kombet e Bashkuara (OKB) kërkoi ndjekjen penale në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) për udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit për gjenocid dhe krime lufte kundër muslimanëve Rohingya dhe pakicave të tjera.

Misioni i themeluar më 23 mars të vitit 2017 nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pas një pune rreth 18 mujore ka përgatitur një raport në lidhje me të gjeturat, të cilin e prezantoi në 1 vjetorin e masakrës ndaj së cilës iu nënshtruan muslimanët e Arakanit në Mianmar.

Ky mision është themeluar me qëllim të zbulimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut përfshirë vrasjet, përdhunimet, torturat dhe arrestimet arbitrare të ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve fanatikë ndaj muslimanëve të Arakanit.

Në raportin e misionit është kërkuar fillimi i hetimeve ndaj shefit të shtabit të përgjithshëm të Mianmarit, Min Aung Hlaing dhe gjeneralëve të shumtë të nivelit të lartë të ushtrisë për shkak të gjenocidit në veri të Arakanit dhe krimeve të luftës dhe veprave penale kundër njerëzimit në provincat Kaçin dhe Shan në veri të shtetit.

Në raport theksohet se muslimanët e Arakanit u janë nënshtruar shkeljeve të hapura të të drejtave të njeriut dhe abuzimeve nga ushtria e Mianmarit dhe forcave tjera të sigurisë, duke nënvizuar se të gjitha këto akte “Janë vepra të rënda penale të cilat sipas të drejtës ndërkombëtare nuk mund të çojnë në dyshim”.

“Detyrimet ushtarake nuk mund të justifikojnë assesi kryerjen e vrasjeve pa dallim, përdhunimet kolektive, sulmet ndaj fëmijëve dhe djegiet e tërësishme të fshatrave. Në fillim kur shikohen kërcënimet aktuale të sigurisë në provincën e Arakanit, taktikat e ushtrisë së Mianmarit kanë qenë joproporcionale në mënyrë të qëndrueshme dhe të ashpër”, thuhet në raport.

Në raport po ashtu thuhet se gjenocidi në rajon ka ngjashmëri me gjenocidet tjera në botë për nga “natyrshmëria”,”serioziteti” dhe “qëllimi”.

Në raport kërkohet që për vepra penale kundër njerëzimit dhe për krime lufte, përveç shefit të Shtabit Min Aung Hlaing, në GJNP të gjykohen edhe gjeneralë të tjerë të shumtë duke filluar nga ndihmësi i Hlaing-it, gjenerali Soe Win.

Më tej në raport thuhet se OKB-ja posedon një listë të gjatë në lidhje me pjesëtarët e ushtrisë të cilët kanë kryer gjenocid por që aktualisht kjo listë do të mbahet në fshehtësi.

Raporti i detajuar i Misionit do t’i prezantohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 18 shtator.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti i vitit 2017, mbi 700 mijë refugjatë Rohingya, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, ishin të detyruar të largohen nga Arakani në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit nisën persekutimin e komunitetit pakicë musliman. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me imazhet e tyre satelitore kanë provuar se qindra fshatra janë shkatërruar.

Marrëveshja e nënshkruar mes qeverive të Mianmarit dhe Bangladeshit për rikthimin e qytetarëve të Arakanit në shtëpitë e tyre është jofunksionale në zbatim për shkak se të zhvendosurit e kanë të pamundur të dokumentojnë situatën e tyre.

Organizatat ndërkombëtare dhe të OKB-së për të drejtat e njeriut dhunën kundër muslimanëve të Arakanit e konsiderojnë “spastrim etnik” ose “gjenocid”.

Qeveria e Mianmarit e cila kufizon në masë të madhe hyrjen e organizatave dhe mediave ndërkombëtare në rajonin e Arakanit, deri më sot nuk ka përmbushur premtimet që ka dhënë në lidhje me rikthimin e muslimanëve të Arakanit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi