OKB kërkon zgjidhje politike nga palët ndërluftuese në Jemen

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka kërkuar zgjidhje politike nga palët ndërluftuese në Jemen.

Duke folur në një konferencë të nivelit të lartë në Gjenevë mbi krizën në Jemen, Guterres u kërkoi vendeve donatore të sigurojnë rreth 3 miliardë dollarë ndihma për vendin ku qasja humanitare është e kufizuar në 90 për qind të qarqeve.

“Jemeni është kriza më e rëndë humanitare në botë. Përderisa konflikti hyn në vitin e katërt më shumë se 22 milionë njerëz, tre e katërta e popullatës kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe mbrojtje. Ne duhet të shohim veprime për t’i dhënë fund konfliktit… Nuk ka zgjidhje humanitare për krizat humanitare. Zgjidhja e vetme është një marrëveshje e negociuar politike përmes dialogut gjithëpërfshirës brenda Jemenit. U bëj thirrje të gjitha palëve të angazhohen me të dërguarin tim të ri të posaçëm, Martin Griffiths, pa vonesë”, deklaroi Guterres.

Plani i Reagimit Humanitar 2018 për Jemenin kërkon 2.96 miliardë dollarë për të arritur tek më shumë se 13 milionë njerëz në të gjithë vendin.

“Rreth 18 milionë njerëz janë me ushqim të pasiguruar, një milion më shumë se sa kur u tubuam vitin e kaluar. Një shifër prej 8.4 milionë nga këta njerëz nuk e dinë se si do të sigurojnë ushqimin e tyre të ardhshëm. Situata në Jemen sot është katastrofike, por me mbështetjen ndërkombëtare ne mund dhe duhet ta parandalojmë këtë vend të bëhet një tragjedi afatgjate”, theksoi Guterres.

Duke vënë në dukje se konferenca e donatorëve të vitit të kaluar ngriti 1.1 miliardë dollarë për veprim humanitar në Jemen, Guterres tha se Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dhënë 930 milionë dollarë dhe premtuan se do të sigurojnë 500 milionë dollarë shtesë nga rajoni, ndërsa donatorët e tjerë kanë kontribuar deri tani rreth 293 milion dollarë, që do të thotë 40 për qind e kërkesave janë siguruar për këtë vit.

“Shkalla e vuajtjeve që ne e shohim në Jemen kërkon financim të shpejtë dhe të plotë për planin e përgjigjeve të vitit 2018”, tha Guterres, duke shtuar se, “Plani është prioritet në mënyrë që çdo dollarë të shkojë atje ku nevojitet urgjentisht. U bëj thirrje të gjithëve të bëjnë atë që është e mundur”.

Duke vënë në dukje se të gjitha portet duhet të mbeten të hapura për mallra humanitare dhe komerciale, të tilla si ilaçe, ushqime dhe karburant, shefi i OKB-së tha se “Punonjësit humanitarë duhet të jenë në gjendje të arrijnë njerëzit që kanë nevojë për ndihmë më së shumti, pa kushte”.

“Agjencitë humanitare dhe partnerët e tyre kanë nevojë për qasje të plotë dhe të pakushtëzuar në çdo kohë. Por, agjencitë humanitare raportojnë kufizime të qasjes në 90 për qind të rretheve në Jemen”, theksoi .

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Husi pushtoi një pjesë të madhe të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Sana.

Në vitin 2015, Arabia Saudite dhe aletët e saj arab, që akuzojnë Husitë se janë në shërbim të Iranit, nisën një fushatë të gjerë ushtarake që synonte rikthimin e rajoneve të pushtuara nga Husitë dhe duke i dalë në krah qeverisë jemenase të mbështetur nga Arabia Saudite.

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) tha se ditën e djeshme disa fëmijë mbetën të vrarë në një sulm në qytetin bregdetar Hodeida në Jemenin perëndimor dhe shumë fëmijë të tjerë janë raportuar si të zhdukur.

“Ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse për fëmijët që kur konflikti në Jemen u përshkallëzua në mars të vitit 2015”, tha UNICEF në një deklaratë me shkrim./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi