Obeziteti pritet t’ia kalojë duhanpirjes si një nga shkaqet kryesore të kancerit tek gratë deri në 2043. Parashikimi është bërë nga një qendër kërkimesh për kancerin në Britaninë e Madhe ku aktualisht 12 për qind e rasteve të kancerit tek gratë janë të lidhura me duhanpirjen dhe 7 për qind me mbipeshën apo obezitetin.
Por, me numrin e duhanpirësve që po bie dhe me shkallën e obezitetit në rritje, studiuesit vlerësojnë se hendeku mes këtyre dy shkaktarëve do të zhduket në harkun kohor të 25 viteve. Dhe shifra është përllogaritur mbi besimin se tendenca aktuale do të vazhdojë.
Edhe pse obeziteti është i zakonshëm edhe mes meshkujve, tek femrat ai mendohet se është një shkaktar më i mundshëm i kancerit. Sidoqoftë, sipas ekspertëve, lufta duhet të vijojë në të dyja frontet, si kundër duhanpirjes ashtu edhe kundër obezitetit./Kosova Post/