Norvegjia ofron mbështetje të mëtejshme për fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim sekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen që ky shtet ka dhënë për Kosovën sidomos në sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi. 

Tahiri ka theksuar rëndësinë e kalimit të gjyqësorit në E-Gjyqësor, përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve.

“Përcjellja e lëndëve në formë elektronike do të mundësohet përmes Sistemit Informativ të Menaxhimit të Lëndëve, gjë që do të mundësoj transparencë, efikasitet dhe qasje më të lehtë në drejtësi, duke iu shmangur procedurave të gjata”, ka thënë ai.

Për E-Drejtësinë, ministri Tahiri ka thënë se do të flitet edhe te Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit.

“E-Drejtësia është temë e paraparë tek Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit. Qëllimi i Rishikimit është të analizoj materialet e publikuara deri më tani për sektorin e sundimit të ligjit, të analizoj më tutje ndryshimet e mundshme që duhet të bëhen në këtë sektor, në mënyrë që të fuqizoj sundimin e ligjit dhe ekonominë e vendit, duke siguruar ligje që garantojnë qartësi juridike” tha ministri Tahiri.

Ndërsa, sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Norvegjisë, Audun Halvorsen shprehu mbështetjen e mëtejshme të vendit të tij për projektet që fuqizojnë sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. /kp/.