Një vit nga masakra në Han Shejhun, tmerri ende në kujtesën e njerëzve

Ka kaluar një vit që kur regjimi i Bashar Asadit në Siri vrau mbi 100 civilë me gaz sarin në rajonin Han Shejhun. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar e ka hedhur përgjegjësinë mbi regjimin, ende nuk është kërkuar llogari për masakrën.

Regjimi i Asadit më 4 prill të vitit 2017 kreu sulm me armë kimike në qytezën veriore Han Shejhun të kontrolluar nga opozitarët.

Qyteza, e cila ndodhet në prefekturën e Idlibit edhe më herët kishte qenë shumë herë shënjestër e sulmeve ajrore.

Pjesa më e madhe e banorëve të Han Shejhunit ishin në gjumë në kohën e sulmit, pasi ai ndodhi rreth orës 6:00 sipas kohës lokale.

Punonjësit e observatorit të opozitarëve raportuan për sulm nga avionë të ngritur nga baza ajrore Shajrat e regjimit, duke e menduar atë si një nga sulmet të zakonshme.

Megjithatë, shpërthimi i zjarrit nga bomba që ra në qendër të qytezës, shenjat e gjakut dhe plagëve te personat e prekur zbuloi shpejt se sulmi ishte kryer me gaz kimik.

Të prekur nga gazi mbetën edhe punonjës të Mbrojtjes Civile, të cilët u zunë të papërgatitur gjatë aktiviteteve të shpëtimit.

Edhe gazetari i atëhershëm freelancer i AA-së, Abdulrauf Kantar rrëfeu për viktimat e sulmit në vendin e ngjarjes, kurse pas një kohë edhe vetë u prek nga gazi.

Nga ana tjetër, regjimi dhe aleatët e tij pretenduan se sulmi është kryer nga opozitarët ndërsa pika e goditur ka qenë nje depo armësh.

Megjithatë, ekipi i AA-së përmes xhirimeve tregoi se në rajon nuk ndodhej asnjë depo armësh ose pikë ushtarake dhe se në vendin ku kishte rënë bomba gjendeshin vetëm silosë drithërash.

Mbi 100 civilë humbën jetën si pasojë e sulmit ndërsa mbi 500 të tjerë u ndikuan nga gazi, prej të cilëve personat në gjendje kritike u sollën në Turqi për trajtim.

Tre ditë pas sulmit, më 7 prill, SHBA kreu një intervenim të kufizuar duke qëlluar me raketa bazën ajrore Shajrat.

Më 19 prill, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike konfirmoi se sulmi është kryer me gaz sarin, duke u bazuar në analizat e gjakut dhe mostrave të urinës.

Në qershor të vitit 2017, AA i dorëzoi Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, OKB-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) një dosje me pamjet dhe dëshmitë e dëshmitarëve të sulmit kimik.

Misioni i përbashkët i OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, i njohur si Mekanizmi i Përbashkët Hetimor (JIM), më 27 tetor të vitit 2017 i paraqiti KS-OKB-së një raport, sipas të cilit regjimi mban përgjegjësinë për masakrën me armë kimike.

Vendimi i JIM-it nuk është i mjaftueshëm për gjykimin e përgjegjësve të masakrës para GJNP-së.

Meqenëse Siria nuk është anëtare e GJNP-së, regjimi duhet të dërgohet në GJNP nga KS-OKB, në të cilën deri më tani nuk është hedhur ndonjë hap. Ndërkohë, regjimi i Asadit vazhdon të përdorë armët kimike./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi