• Home
  • Uncategorized
  • Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është e rrezikshme për Kosovën
Uncategorized

Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është e rrezikshme për Kosovën

Spread the love

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, njëzëri janë të mendimit se shfuqizimi i Gjykatës Speciale është një aventurë e rrezikshme dhe sipas tyre një nismë e tillë do të kishte pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.

Pasi të premten në mbrëmje deputetët e koalicionit qeverisës, me kërkesë të 43 deputetëve, nuk arritën të mbajnë seancën e jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, Kuvendi shpalli pushimin trejavor dimëror. Megjithatë, reagimet mbi këtë nismë nuk kanë të ndalur.

Ehat Myftaraj, nga Instituti për Drejtësi vlerëson se shfuqizimi i ligjit në fjalë do të ishte një aventurë e rrezikshme për Republikën e Kosovës, ndërkohë që pasojat e një veprimi të tillë, sipas tij, do të ishin një rrezik i madh për integritetin e shtetit, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“Shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale bart pasoja ligjore sepse Kosova përveç që ka nënshkruar atë ligj, ka miratuar edhe një amendament kushtetues dhe arriti një marrëveshje me BE-në dhe Mbretërinë e Holandës, njëherësh u ofroi garanci SHBA-ve dhe shteteve mike se atë gjykatë, jo që vetëm do ta themelojë, por se do të ndërmarrë hapa për zbatim të saj”, thotë Myftaraj.

Pavarësisht se kush e ka marrë një nismë të tillë thotë Myftaraj, në praktikë një gjë e tillë është e parealizueshme. “Edhe sikur të anulohej ajo gjykatë, ka një mundësi reale që një gjykatë e tillë të themelohet si një Tribunal Ndërkombëtar për Kosovën i cili do të themelohej përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku padyshim rol të tyre do të kishin Rusia dhe Serbia si dhe shtetet të cilat nuk përkrahin shtetësinë e Kosovës”, thotë ai.

Myftaraj thekson se vetë Gjykata Speciale nuk është e mirë për imazhin e Kosovës dhe luftën e UÇK-së, por padyshim thotë ai, çfarë është filluar duhet përfunduar, dhe të pastrohet emri i UÇK-së nga ata të cilët do të mund të gjykoheshin, në mënyrë që të mos dëmtohet lufta e drejtë e popullit të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Ndërsa, njohësi i rrethanave politike në Kosovë, Rahman Paçarizi, vlerëson se “me një veprim të tillë, klasa politike e Kosovës ka dëshmuar një papjekuri”, përkundër thirrjeve të ambasadorëve të SHBA-ve, Britanisë dhe Gjermanisë, që të mos marrin hapa të tillë.

Nga ana tjetër, thotë ai, reagimi i shoqërisë civile e cila hapur kundërshtoi një nismë të tillë, dëshmoi vendosmërinë e tyre për të ruajtur raportet me SHBA-të dhe aleatët e tjerë, ku sipas tij dëshmuan një pjekuri qytetare.

Sipas Paçarizit, kjo ishte një lojë taktike, veçanërisht nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të përmbushur ambiciet e bashkëluftëtarëve të tij, të cilët siç thotë ai, janë paksa të manipuluar nga klasa politike.

“Nëse nuk kanë qenë të manipuluar, atëherë ata bënë intensifikimin e qëndrimit të tyre kundër Gjykatës Speciale. Në këtë kontekst, duket se klasa politike e Kosovës ishte e detyruar të bëjë një veprim të tillë, përkundër njohurive për reagimet e ambasadave të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë “, tha Paçarizi për AA.

Sipas tij, veprimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që të mos marrë pjesë ka qenë i pritshëm, por befasues ishte qëndrimi i njëjtë i Vetëvendosjes, edhe pse kjo e fundit kundërshton Specialen.

Paçarizi është i mendimit se aktakuzat e para në fillim të vitit të ardhshëm nuk do të kalojnë pa vështirësi, meqë disponimi anti-Speciale në Kosovë është nga fakti se kjo gjykatë merret vetëm me krimet e kryera nga shqiptarët, ndërsa jo edhe me ato të kryera nga serbët./Kosova Post/

Related posts

Gjendja e veshëve tregon këto sëmundje

dritatv

Lumezi merr mbështetje nga kryeprokurori i Kalifornisë

dritatv

Po fitojnë miliona dollarë duke shitur ajër kanadez

dritatv

Leave a Comment