Nga miq në armiq! Mynyr Koni kërkon hetim edhe për tenderat e Dhori Kules

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, jo vetëm që mirëpret hetimin e nisur nga Prokuroria për Krimet e Rënda për shpërdorim detyre, ku veç tij po hetohet edhe paraardhësi Dhori Kule, por kërkon zgjerimin e këtij hetimi.

“Të hetohen të gjithë tenderat e Universitetit të Tiranës në 10 vitet e fundit. Unë shpreh mbështetjen time personale dhe institucionale për hetimet e Prokurorisë”, deklaron Rektori i UT, Mynyr Koni.

Rektori Koni dhe dekani i Ekonomikut, Dhori Kule pritet ta kalojnë sërish pragun e Prokurorisë, pa u mbushur viti nga prezenca e tyre si dëshmitarë në procesin ndaj të pandehurit Emiliano Shullazi.

Kësaj radhe dy profesorët, që dikur ishin miq dhe mbështetës të njëri-tjetrit, janë përballë për një dosje tjetër që është hapur nga prokurorët e Krimeve të Rënda mbi dyshimet e korrupsionit, për mënyrën se si janë zhvilluar tenderat.

Një burim i tha Top Channel se pas kallëzimeve të dorëzuara pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda po verifikohen tenderat e zhvilluar jo vetëm gjatë kohës kur në krye të Rektoratit gjendet profesori Koni, por edhe tenderat në periudhën e drejtimit nga ish-rektori Kule, aktualisht dekan i Ekonomikut.

Më herët dy profesorët u shfaqën publikisht në luftë të hapur me njëri-tjetrin pas akuzave dhe kundërakuza, madje duke përdorur si argument edhe pezullimin nga detyra të kancelarit.

Për shkak të sekretit hetimor, prokuroria nuk jep detaje për zhvillimin e hetimeve. Ajo që dihet është se Kule ka qenë një nga mbështetësit e Konit për të marrë drejtimin e Rektoratit, një garë gjatë të cilës nisën hetimet për kërcënimin e Mynyr Konit nga Emiljano Shullazi.

Por gjatë hetimeve dhe më pas, të dy profesorët, edhe në gjykatë u tërhoqën nga ky qendrim duke treguar se nuk e njihnin më se kush ishte Emiljano Shullazi./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi