Nga Ermir HOXHA: Të gënjesh si derri dhe ta jetosh politikën si llucë

Është më shumë se e trishtueshme të mendosh që në politikën shqiptare, ka asish, individë me peshë apo linja politikëbërjeje që e aplikojnë gënjeshtrën, atë të trashën fare, atë që që në gjuhën e popullit klasifikohet si “e derrit” – të gënjesh si derr! – pa pikën e turpit, pa asnjë gram skrupulozitet, respekt për veten e për njerëzit. Sepse nuk është thjesht fjala për qasje të gabuar karshi një fenomeni, për një llogari të bërë keq, për një nxitim, një nerv momental që të shpie në një shkelje, të gjithë këto tejet njerëzore; bëhet fjalë kur me koshiencë, ne kushte qetësie, ti zgjedh të gënjesh si pjesë e strategjisë politike. Dhe këtë e bën me një pandjeshmëri ulëritëse morale, edhe kur e di se ajo çfarë presin njerëzit prej teje është pikërisht morali.

Pra, është fjala për dy rastet, “Babale” dhe “Nuhu”. Te të dyja, njëra prej palëve politike ka zgjedhur të gënjejë. Cila është kjo? Secili mund të bëjë një analizë të ftohtë për t’ju afruar të vërtetës. Por mjafton ajo që nuk ka diskutim se njëra po “gënjen si derri”, për të t’u dhimbsur ky vend, se kush e drejton ose se kush mëton ta drejtojë. Sepse, dhe njëherë, nuk janë çështje ku përplasen qasje apo pikëvështrime të ndryshme. Jo, janë asoj ku njëra ka zgjedhur të gënjejë me ndërgjegje të plotë.

Në dy rastet, përgjegjësia më e madhe bie mbi iniciuesit. Te Babalja, atë e ka PD. Ajo ia ka hedhur publikut dhe ajo ka përgjegjësinë të bindë opinionin se nuk gënjen kur vendosi që të nxjerrë tre deputetë, që janë tre ligjvënës, e ku dy prej tyre kanë qenë dhe ministra – pra ju është besuar vendimmarrje për fate njerëzish. Por bindja nuk bëhet vetëm deklarata me “kthim shiriti”. Ajo kërkon prova të qarta, të qëmtuara e mbledhura me kompetencë e seriozitet, për bërë të mundur triumfin e së vërtetës. Aq më tepër kur pretendon se organet hetimore janë në krahun e pushtetit. Mosbesueshmëria që ke ndaj tyre nuk është argument. O i njeh këto organe, ose nuk i njeh. Në rast se kërkon hetim nga këto organe, madje paraqitesh aty së bashku me provat – pra i njeh – dhe më pas nuk i njeh kur ato japin verdiktin, kjo lloj loje nuk shkon. Kjo është shkatërruese për shtetin dhe një parti politike serioze nuk mund të jetë kaq varrmihëse e shtetit.

Po ashtu dhe te rasti “Nuhu”, që është dhe me ulëritës dhe se “Babalja”. Polici me aq çertifikata aftësie profesionale, lëshon një akuzë të rëndë ndaj një politikani me peshë pa e shoqëruar me asnjë provë. Edhe ky birboja, hem nuk beson se drejtësia e hem kërkon hetime, ama pa qenë vet prezent, dhe me frazën më abuzive: “kam prova, por do t’i dorëzojë kur t’i vijë momenti”. Pra, një shoqëri e tërë së cilës i janë hardallosur trutë nga akuzat që hidhen pa hesap mbi ligjvënës e vendimarrës, mbahet peng nga një rrogëmarrës shteti (ish), paguar nga taksat tona për të mbrojtur ligjin, qoftë dhe me jetën – pasi kjo ka qenë zgjedhje e lirë e tij – e cili ka dezertuar nga detyra. Ky detaj i fundit, që përbën dhe kushtin moral për t’u marrë në konsideratë për të gjitha dërdëllitjet që lëshon prej së largu, në janë të vërteta apo jo, po ta vëresh, në të gjithë ligjërimin, edhe atë politik por dhe atë mediatik, as që përfillet – një tregues i krizës morale shumëpërmasore tonën si shoqëri.

Dhe kur gënjeshtra zgjidhet kaq lehtshëm si armë politike, nuk se si prodhohet më pas politikë që ka për armë idetë. Kriza e moralit në politikë, ka çuar në krizën e ideve. I gjithë ligjërimin politik, me ndihmën dhe të një mediaje po aq në krizë morale, e shndërruar në kuzhinë të kësaj menuje të pangrëneshme për një organizëm normal, gjallon vetëm nga akuzat e aspak nga idetë. Sheh aty, veç figurave të traditës në politikë, edhe fytyra të reja, zëra të rinj, që veç mënyrën e të arsyetuarit nuk e kanë të re. Ti i sheh, i dëgjon dhe nuk arrin të kuptosh se për ç’merita janë aty, ç’talent i ka futur në politikë, se ç’vizion përfaqsojnë për të ardhmen. Vijnë nga një anonimitet total dhe më pas, me mungesë fatkeqe të një respekti në radhë për të parë për veten, e vizatojnë profilin e tyre në shoqëri si njerëz që zgjedhin të bëjnë politikë me syrin te vrima e çelësit dhe të vëllazëruar përzishëm me gënjeshtrën. /tesheshi.com/ 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi