Nga Ermir HOXHA: Gjesti i Haradinajt me “nënën e vet”, ku i ka rrënjët?

Kryeministri Haradinaj e ka shpërfaqur dhe njëherë mungesën e theksuar të stofit për të mbajtur postin e lartë të një kryeqeveritari. Vetëm një realitet paradoksal si ai i pasluftës në Kosovë, ku liria është shoqëruar me një marrëzi disapërmasore në planin politik, shtetformues, social e kulturor, mund ta prodhojë një aksident të tillë ku një individ, vërtet i vlefshëm për një kohë të caktuar, si ajo e vringëllimit të armëve, por po asnjë të dhënë minimale prej shtetari, sot drejton vendin si kryeministër.

Haradinaj prodhoi një skenë lehtësisht të evitueshme, edhe pse mund të jetë ndjerë i bezdisur nga gruaja që zuri foltoren e ceremonisë së 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Ajo zonjë në moshë, mbesë e një prej figurave më të shquara të veprimit patriotik shqiptar të fillimshekullit të 20-të, Mehmet pashë Derrallës, ministër Mbrojtjeje e firmëtar pavarësie në Vlorë, nuk ishte një e mangët nga trutë e kokës. Nuk dihet se në ç’rrethana u gjend para mikrofonit, por fjalët që thoshte përmbanin një logjikë emocionale tërësisht të arsyeshme për vetë statusin që gëzon, pasardhëse e një figure të shquar. Prania e saj, fjalët po ashtu, ishin dhe një apel kritik për organizatorët e aktiviteve të tilla, ku rrallë apo thënë kurrë ndonjëherë, nuk ndodh që të ftojnë pinjollë prej atyre familjeve që nxorrën ata burra. Sepse vëreni se ç’paradoks: del Haradinaj e flet me veneracion (që zakonisht është zyrtar, më tepër se sa ndërgjegjësor) për ata burra, mes tyre dhe Derrallën, ndërkohë që ia ka marrë të mbesën “për leckash” për ta hequr zhangazi nga mikrofoni zyrtar i një ceremonie përnderimi.

Haradinaj prodhoi një skenë që do jetë shenjë e pashlyeshme, padyshim negative, në gjithë karrierën e tij politike. Nuk ishte një gjest nga ato që e ndajnë opinionin, në pro e kundër. Ishte diçka që ka prodhuar unanimitet qëndrimi në zërat publikë: skandal!

Sepse një lider, një kryeqeveritar, e përfton vlerën e një burrështetasi edhe nga aftësia për ta menaxhuar të papriturën. Një pozitë e tillë ka dhe kosto jo të vogla. Ndaj dhe pregatitja, zotërimi i disa aftësive, të lindura apo të kultivuara në kohë, duhet të jetë shumë e madhe.

Në rastin konkret, ajo zonjë të cilën Haradinaj e mbërtheu nga krahët si të ishte badigard e jo kryeministër (meqë ra fjala, pse nuk ndërhyn badigardët për ta larguar nga mikrofoni?), nuk po thoshte diç kundër tij, një akuzë apo ofezë; por dhe nëse do thoshte, nuk do ishte as rasti i parë e as i fundit. Do ishte një prej atyre skenave të zakonshme, ku veç fjalëve gjuhet dhe me këpucë, vezë apo domate, me të cilat janë ballafaquar edhe të tjerë pushtetarë e politikanë. Ndërsa Haradinaj nuk ishte në këtë pozitë. Por dhe nëse do ishte, do ndihej më shumë se i sikletosur, i lumtur që do i jepej rasti të shpërfaqte qetësi, maturi, inteligjencë e finesë, në evitimin e një përplasjeje, aq më tepër me një grua, që siç thuhet në gjuhën e shqiptarëve, ishte nëna e tij. Nuk e bëri dhe me gjasë nuk mund ta bënte. Thjesht se ka ca gjëra të lindura në karakter – ashpërsinë folklorike dhe ca të palindura – butësinë fisnike! Këtu ndodhen rrënjët…/tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi