“Nëse Kudsi është jashtë tryezës, nuk ka rol për SHBA-të në bisedime”

Palestina ka dënuar komentet e presidentit amerikan, Donald Trump, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar se nëse Kudsi është jashtë tryezës së bisedimeve, atëherë paqja dhe SHBA-të poashtu janë jashtë saj.

Reagimi vjen pasi presidenti Trump kërcënoi autoritetet palestineze me shkurtime të ndihmës para një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe tha se Palestina tani duhet të negociojë me Izraelin.

“Kur ata na shpërfillën një javë më parë duke mos lejuar nënpresidentin tonë të madh (Mike Pence) për t’i parë, dhe ne u japim atyre qindra miliona dollarë ndihmë… paratë janë në tavolinë dhe paratë nuk do të shkojnë te ata derisa nuk ulen dhe negociojnë për paqen”, tha Trump.

Në përgjigje të kërcënimeve të presidentit Trump në Davos, Nabil Abu Rudeineh, zëdhënësi i presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, në një deklaratë tha se SHBA-të nuk do kishin asnjë rol në procesin e paqes nëse Washingtoni nuk tërheq vendimin mbi Kudsin. “Nëse Kudsi është jashtë tryezës, atëherë SHBA-të poashtu do të jenë jashtë tryezës”, tha Rudeineh.

Kryenegociatori palestinez dhe sekretari i përgjithshëm i komitetit ekzekutiv i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Saev Erekat, komentet e Trumpit i përshkruan si “akt të papërgjegjshmërisë”.

“Deklaratat e papërgjegjshme të presidentit Trump gjatë takimit të tij me kryeministrin e shtetit okupues Benjamin Netanyahu në Davos, riafirmojnë vetëm se SHBA-të janë skualifikuar për të luajtur një rol ndërmjetësues në bisedimet e paqes”, tha Erekat.

Erekat tha se kërcënimi i presidentit Trump për shkurtimin e ndihmës për Palestinën po të mos jetë në tryezën e negociatave me Izraeliin “është shantazhim dhe ndëshkimi i popullit palestinez”.

“Ata që mendojnë se Kudsi është jashtë tryezës negociuese duhet të dinë se paqja poashtu është jashtë tryezës. Është koha për të nisur iniciativa të reja për të shpëtuar rajonin nga kaosi ndërkombëtar që nuk mund të kënaqë askënd”, tha Erekat.

Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit Amerikan njoftoi se po ndalonte 65 milionë dollarë ndihma për Palestinën “për shqyrtim të mëtejshëm”. Shkurtimet e fondeve të SHBA-ve erdhën një muaj pasi Trump nxiti protesta botërore duke njohur zyrtarisht Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”.

Kudsi mbetet në qendër të konfliktit Palestinë-Izrael, me palestinezët që shpresojnë se Kudsi Lindor, i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967, përfundimisht të shërbejë si kryeqytet i një shteti të pavarur palestinez./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi