“Në Siri bashkëpunoni me Turqinë, jo me terroristët”

 

Ambasadori i Turqisë në Washington, Serdar Kılıç, tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Siri duhet të bashkëpunojë me Turqinë dhe jo organizatën terroriste PYD/YPG.

Në një shkrim të publikuar në “Washington Post”, ambasadori Kılıç ka shprehur kundërshtimet ndaj opinioneve të mbrojtura në një shkrim të gazetës të publikuar me 6 prill me temë “dhuratë armiqve të Amerikës”.

Ai ka bërë vlerësimin se “SHBA-ja teksa merret me kompleksitetin e konfliktit në Siri, ajo duhet t’i besojë Turqisë me të cilën është aleate prej dhjetëra vitesh dhe jo t’i besojë një organizate terroriste”.

Sipas tij, në shkrim është paraqitur pretendimi se është “një tendencë e palogjikshme” që Turqia në luftën kundër DEASH-it dëshiron të eliminojë forcat nën udhëheqjen e kurdëve në Siri që bashkëpunojnë me SHBA-në. Kılıç, ka theksuar se kjo është një pikëpamje e gabuar ku PYD/YPG-ja është një organizatë terroriste e cila para së gjithash persekuton popullin kurd, dhe se ashtu sikurse DEASH që nuk përfaqëson muslimanët as PYD/YPG-ja nuk përfaqëson kurdët.

“Regjimi i Asadit duke lejuar që PYD/YPG-ja të zgjerojë veprimet e saj në territore, ka detyruar grupet etnike të ndryshme në rajon që të largohen nga vendet e tyre. Në këto rajone është zbuluar një bashkëpunim i ngjashëm që regjimi ka bërë edhe me DEASH-in. PYD/YPG-ja nuk ka qenë asnjëherë një element opozitar, ka qenë gjithmonë bashkëpunëtor i regjimit”, është shprehur Kılıç, duke shtuar se Turqia strehon rreth 3.5 milionë refugjatë të cilët përbëhen nga arabë, kurdë, turkmenë, asirianë dhe armenë të cilët janë larguar nga konfliktet në Siri.

Ai ka tërhequr vëmendjen se Turqia është forca e vetme që lufton kundër DEASH-it me një ushtri të rregullt në rajon dhe ndërkohë që ka mbetur e detyruar të luftojë edhe me një organizatë tjetër terroriste në Afrin.

“Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) kanë treguar një ndjeshmëri shembullore përsa i përket mbrojtjes së civilëve. Shpëtimi i qendrës së Afrinit në mënyrë të padëmtuar është në kontrast të thellë me shkatërrimin masiv të shkaktuar nga PYD/YPG-ja në Rakka”, tha Kılıç.

“Duhet t’i jepet fund kësaj loje taktike të papërgjegjshme. Tashmë ka ardhur koha që çështja të shikohet nga një perspektivë strategjike. SHBA-ja duhet t’i besojë Turqisë me të cilën është aleate prej dhjetëra vitesh dhe jo t’i besojë një organizate terroriste. Kjo është e nevojshme për stabilitetin dhe sigurinë në të ardhmen e rajonit”, tha më tej Kılıç.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi