Në pritje të trajnerit, Itali-Holandë në “Juventus Stadium”

“Juventus Stedium” në qytetin e Torinos do të jetë arena e miqësores së luksit në futbollin europian mes Italisë dhe Holandës. Në pritje të emërimit të trajnerit të ri të të kaltërve, ka ardhur edhe zyrtarizimi i përballjes mes dy gjigantëve kontinentalë, dy mungesa të bujshme në botërorin e kësaj vere që do të zhvillohet në Rusi.

Sfida e 4 qershorit do të jetë përballja numër 21 mes dy përfaqësueseve të spikatura dhe bilanci deri më tani është në favor të formacionit të Apenineve. Axurrët kanë regjistruar 9 fitore, 8 barazime dhe 3 humbje përballë portokallinjve. Në impiantin e kampionëve të Italisë, përfaqësuesja vendase mund të krenohet se është e pathyeshme me fitoren ndaj Çekisë dhe barazimet ndaj Anglisë e Spanjës.

Dikur Di Biaxho i shënonte kombëtares së Holandës në ndeshje vendimtare e madje atij i besoheshin edhe penallti përballë një gjiganti si Van der Sar. tashmë në pankinën e të kaltërve, trajneri i përkohshëm mund të provojë të njëjta emocione, nëse federata nuk do ti ketë gjetur zëvendësuesin deri në qershor.

Miqësorja e fundit mes dy të përjashtuarave të bujshme të botërorit 2018, u zhvillua 28 Marsin e kaluar në Amsterdam dhe u mbyll me fitoren e Italisë 2-1, gola të Eder dhe Bonuçi. Për Italinë, janë programuar ndërkohë miqësore të tjera në Muajin Mars, në 23 ndaj Argjentinës në stadiumin e Manchester, si dhe në 27 Mars në Londër ndaj Anglisë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi