Në Krefeld të Gjermanisë do të ndërtohet xhamia me minare 38 metërshe

Vitin e ardhshëm në qytetin gjerman Krefeld do të fillojë ndërtimi i një xhamie, minarja e së cilës do të jetë e gjatë 38 metra.

Autoritetet gjermane në dhjetor të vitit të kaluar dhanë lejen e nevojshme të ndërtimit, ndërkohë që sipas koordinatorit të punimeve për ndërtimin e saj, Erdinc Sezer, lokacioni i xhamisë do të jetë në qendër të qytetit.

Në një prononcim për AA, Sezer tha se xhamia do të jetë e gjatë 26 metra, minarja 38, ndërsa kupola 19 metra, me një sipërfaqe të oborrit prej 1.100 metra katrorë.

“Në nëntor të vitit 2016 dorëzuam një kërkesë për ndërtimin e xhamisë. Lejen e morëm në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa bëhet fjalë për një xhami e cila do të mund të pranojë rreth 560 persona”, tha Sezer.

Ai theksoi se në kuadër të xhamisë do të ketë edhe objekte shoqëruese.

“Në kuadër të xhamisë do të ketë një sallë takimesh me rreth 340 metra katrorë, tetë dhoma, librari dhe leximore. Xhamia do të jetë dy minuta nga qendra e qytetit, me një parking për 51 automjete”, tha Sezer, duke informuar se punimet do të fillojnë nga mesi i vitit 2019.

Xhamia “Fatih” do të ndërtohet nën sponsorizim të Unionit turko-musliman për çështje fetare, DITIB.

Krefeldi është një qytet me rreth 225 mijë banorë dhe ndodhet në krahinën federale Rajna-Vestfalia Veriore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi