Në dorë të kujt është emërimi i ministrit të ri të MPB-së?

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, po e pret partnerin e koalicionit qeverisës, Aleancës Kosova e Re që të propozojë emrin e ministrit të ri të Punëve të Brendshme, pas dorëheqjes së Flamur Sefajt nga ky post. Ndërkohë zyrtarë të AKR-së konfirmojnë se shumë shpejt do të dalin me emrin për ministër të MPB-së.

Kreu i ekzekutivit tha se ai ende nuk ka ndonjë emër, por kurdo që ta ketë do ta shqyrtojë dhe miratojë.

Haradinaj: Presim propozimin e AKR-së

“Tani është procedura, për ministrin propozon subjekti politik AKR, kurdo që ata e kanë propozimin e shqyrtojmë dhe besoj e aprovojmë”, tha Haradinaj.

Aktualisht, Ministria e Punëve të Brendshme, udhëhiqet nga zëvendësministri Selami Shkodra. Ndërsa, sekretari i AKR-së, Vesel Makolli, tha përmes telefonit për KosovaPress, se beson shumë shpejt do të dalin me emrin për ministër të MPB-së, ani pse kjo varet shumë nga presidenti i partisë, Behgjet Pacolli.

“Ende presidenti nuk na ka thirrur për të diskutuar për këtë gjë, ende nuk ka asgjë të re, ai sigurisht duhet të ketë kombinime. Ishte dashtë këto ditë të kryhet, por nuk varet prej neve, por vendimi është i tij në fund të fundit”, tha Makolli.

Flamur Sefaj dha dorëheqje pas skandalit të arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi, pa dijeninë e krerëve shtetërorë, ku më pas kryeministri Haradinaj kishte kërkuar lirimin e pozitës nga Sefaj, me arsyetimin se ka mbajtur fshehtë nga ai një aksion të tillë, ani pse e kishte ditur një javë më herët./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi